Spanjë, tronditen sërish bankat

27/12/2012 00:00

Vlera e aksioneve të Bankias ranë me 14 përqind në bursë pas publikimit të lajmit se vlera e kredive të këqia të kësaj banke shkonte përtej 4.2 miliard eurove.

Bankia, banka më e madhe spanjolle është pjesë e grupit BFA, banka mëmë që mendohet se kreditë e këqia të së cilës shkojnë deri në 10.4 miliard euro.

Aktualisht Bankia është nën mbështetjen e fondit të shpëtimit të Eurozonës dhe financierët mendojnë se do të duhen edhe 13.5 miliard euro nga ky fond për të shmangur falimentimin e saj. Derdhjet e paketës së ndihmës financiare kryhen nëpërmjet FROB, agjencia shtetërore spanjolle e krijuar posacërisht për të ndihmuar bankat në krizë.

Ekspertët mendojnë se injektimi i të tjera shumave në sistemin bankar spanjoll duke rritur kapitalin e bankave, rrezikon të shndërrohet në një rrezik për paratë e taksapaguesve spanjollë. Ata thonë se me rritjen e kapitalit, rritet rreziku që bankat të japin të tjera kredi, që rrit mundësinë e shtimit të kredive të këqia.

Spanja është ndër vendet më të prekura nga kriza financiare e Eurozonës së bashku me Greqinë, Portugalinë dhe Irlandën.  Në mes të këtij viti, vendet e Eurozonës pranuan të ndihmojnë financat e Madridit me një fond prej 100 miliard eurosh, shumë që po jepet me këste.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB