
Ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, ka dalë nga spitali, por do të vazhdojë të mjekohet në shtëpinë e tij në Johanesburg derisa të rekuperohet plotësisht.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra e presidentit aktual afrikano-jugor, Jacob Zuma, përmes një komunikate për shtyp.
Zoti Mandela, 94 vjeç, u shtrua në spital 18 ditë më parë për t’u mjekuar për një infeksion në mushkëri. Bashkëshortja e tij, Graca Machel dhe presidenti Zuma e vizituan atë ditën e Krishtlindjes dhe thanë se ai ishte në humor të mirë.
Më pas, zoti Zuma tha gjithashtu se mjekët ishin të kënaqur me progresin që ka bërë zoti Mandela. Në deklaratën e tij të së dielës, presidenti falenderoi banorët e Afrikës së Jugut për mesazhet për shërim të shpejtë që kishin dërguar.
“Ne kërkojmë ruajtjen e mëtejshme të privatësisë në mënyrë që të arrijmë një rekuperim sa më të shpejtë të zotit Mandela”, thuhej në deklaratën e presidentit.
Ky shtrim në spital ka qenë më i gjati për presidentin e parë me ngjyrë të Afrikës së Jugut që kur la burgun në vitin 1990.
Nipi i tij, Mandla, tha se mungesa e xhaxhait në ditën e Krishtlindjes e kishte trishtuar shumë familjen. “Ne nuk prisnim që ai të qëndronte larg për kaq shumë kohë”, tha ai.
Zoti Mandela jeton në Kunu, një fshat rural në provincën e Kepit Lindor, ku ai thotë se ka kaluar ditët më të lumtura të fëmijërisë së tij. Ai u tërhoq nga jeta publike në vitin 2004 dhe që atëherë është shfaqur rrallë herë në publik.
Top Channel