Kuvendi i Shqipërisë po zhvillon një seancë plenare, që është dhe e fundit për këtë vit. Seanca ka nisur me diskutime mbi projektligjin për peshkimin, i cili është shoqëruar me debate.

Deputeti i Partisë Socialiste, Eduard Shalsi ka akuzuar qeverinë se e ka çuar në mjerim këtë sektor kaq të rëndësishëm për vendin.

Por ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu ka kundërshtuar duke thënë se sektori ka njohur përmirësim, pasi disa kompani shqiptare të produkteve të peshkut kanë depërtuar edhe në tregun evropian. Mediu ka ftuar opozitën për bashkëpunim.

Ndërkohë, debatet kanë vazhduar me projektligjin për makinat e Policisë së Shtetit, që gjithashtu është shoqëruar me polemika.

Opozita ka akuzuar qeverinë se po zhvillon një biznes klientelist, si dhe për përfitime personale përmes ligjit për varrezat e makinave, për t’i shitur mbetjet metalike për skrap.

Partia Socialiste ka akuzuar lidershipin qeveritar për afera ilegale me biznesmenë serbë, të cilët sipas saj janë edhe klientët kryesorë të oborrit qeveritar. 

Top Channel