Ish-presidenti i SHBA-ve, Xhorxh H. W. Bush ka qenë nën kujdesin intensiv pas etheve, që e kanë prekur që prej së dielës, zbuloi një zëdhënës.
Jim McGrath tha se ai ka patur një “seri vuajtjesh” dhe mbetet ende nën “gjendje vëzhgimi”, por ka qenë vigjilent dhe ka biseduar me familjen e tij dhe doktorët.
Bush, tashmë 88 vjeç, është shtruar në spitalin Methodist në Houston, Texas, që kur pati nevojë për një trajtimin e bronkiteve, më 23 nëntor. Ai është ish-presidenti më i vjetër, që jeton aktualisht, si dhe një veteran i Luftës së Dytë Botërore.
Bush ka qenë zëvendësi i Ronald Reagan për dy mandate, si dhe u bë presidenti i 41-të i SHBA-ve në 1989, por u mposht nga demokrati Bill Clinton, kur kandidoi për një mandat të dytë në vitin 1992.
Bush ka qenë nën regjimin e një diete vetëm me lëngje, bëri të ditur zëdhënësi. “Janë ethe ‘kokëforta’, të cilat nuk duan të kalojnë. Familja e tij ka qenë e pranishme, ai është i vetëdijshëm dhe i aftë për t’u angazhuar në batuta humoristike me doktorin e tij”, tha McGrath. Ai deklaroi gjithashtu se doktorët kanë qenë optimistë të matur në lidhje me trajtimin e zotit Bush.
Kur ai u shtrua për herë të parë, ish-presidenti kishte parashikuar të qëndronte në spital vetëm pak ditë, por vazhdimi i etheve e kanë mbajtur atë deri në periudhën e Krishtlindjes.
Pikërisht për Krishtlindje, Bush u vizitua nga e shoqja e tij, Barbara, djali i tij Neil dhe pjesëtarë të tjerë të familjes. Ai është vizituar gjithashtu dy herë nga i biri i tij, George W. Bush, i cili shërbeu si presidenti i 43-të i SHBA-ve nga 2001 deri në 2009.
Top Channel