Kryeministri Sali Berisha zhvilloi në Pallatin e Brigadave një takim me gazetarë dhe drejtues të mediave në Shqipëri për të festuar me ta festat e fundvitit.

Në nisje të fjalës së tij, sërish para medias, por këtë herë jo drejtuar publikut, por vetë medias, kryeministri vlerësoi rolin dhe kontributin e saj në zhvillimin e vendit. Kreu i mazhorancës vlerësoi se politikanët duhet t’i jenë mirënjohës medias pasi ajo i ndihmon ata në karrierë. Për kryeministrin, media kontribuon në zhvillimin e vendit duke bërë opozitë.

“Unë kam një arsye më të veçantë për të qenë mirënjohës ndaj jush. Të gjithë politikanët duhet të jenë mirënjohës ndaj mediave, sepse, në fakt, më shumë se atyre pakkujt i detyrojnë karrierën. Por, unë kam arsye të dyfishtë, sepse gjatë këtij mandati, “de facto”, ju keni qenë opozita e vendit, një opozitë e shkëlqyer”, u shpreh Berisha.

2012 ishte viti i 100-të i Shqipërisë së Pavarur dhe festimet në këtë përvjetor kulmuan me deklarata patriotike të politikanëve që nuk lanë pa prekur edhe vetë kryeministrin. Duke u ndalur tek kjo pikë, Berisha tha se nuk duhet të ngatërrohen deklaratat patriotike të tij me ato të lëshuara jashtë cdo konteksti të politikanëve të tjerë, duke nënkuptuar këtu deklaratat dhe qendrimet e AK-së dhe kreut të saj, Kreshnik Spahiu.

“Ballkani përjetoi stuhitë më të egra nacionaliste, në fundin e shekullit që shkoi. Nacionalizmi shqiptar ishte nacionalizmi më qytetar, ishte nacionalizëm tërësisht i frymëzuar nga vlerat e lirisë. Dhe, do të ishte e pafalshme që, për shkak të barbarive të nacionalizmave të tjerë, ne të vendosnim në një shtrat nacionalizmin qytetar shqiptar. Është nacionalizëm i bazuar mbi kulturën, gjuhën, nuk është nacionalizëm i bazuar mbi urrejtjen, mbi shfarosjen, mbi ekstreminimin”, tha ai.

Më pas kryeministri falenderoi mediat dhe gazetarët për shkrimet dhe reportazhet historike të tyre në këtë 100-vjetor, shkrime e reportazhe që për kryeministrin zbardhën të vërteta që shqiptarët kanë patur nevojë t’i dinë.

Top Channel