SHBA, fluks shitjesh të armëve

26/12/2012 18:55

Vazhdon fluksi i shitjes së armëve në Shtetet e Bashkuara, në veçanti të asaj automatike “AR 15”, e përdorur nga autori i masakrës në shkollën e Njutaunit.

Fansat e kësaj arme popullore druhen se në muajt e ardhshëm presidenti Barack Obama mund ta ndalojë dhe për rrjedhojë po e blejnë përsa kohë është ende e ligjshme.

Nga shifrat e paraqitura nga Brownells, furnizuesi më i madh në botë, në tre ditë janë shitur aq armë të tipi “AR 15” sa janë shitur në tre vitet e fundit.

Shitjet e armëve vijojnë në një kohë kur pjesa dërrmuese e popullsisë amerikane është ende e tronditur nga masakra në shkollën Sandy Hook, ku humbën jetën 27 persona.

Gjithashtu, të shokuar amerikanët i ka lënë edhe vrasja e dy zjarrfikësve të cilët ranë në kurthin e një personi që i kishte vënë flakën shtëpisë, si dhe ajo e 4 personave në një shkëmbim zjarri në Pensilvani.

Presidenti Obama deklaroi pas masakrës së 15 dhjetorit se do të marrë masa për kufizimin e shitjes së armëve, nismë në të cilën ai po has rezistencën e fortë të biznesmenëve të armëve dhe lobit të tyre.

Përçarja e thellë kombëtare mbi çështjen e kontrollit të armëve në Shtetet e Bashkuara u duk qartë të premten, kur kreu i grupit më të madh të lobimit pro-armëmbajtjes doli në konferencë për shtyp, ndërsa një pankartë ku shkruhej “NRA po vret fëmijët tanë” mbahej nga një protestues përpara syve të tij.

Më skandaloz ishte edhe fakti që një dyqan armësh, ku vrasësi i Konektikatit u përpoq të blinte një pushkë tre ditë përpara tragjedisë, favorizonte shitjen e armatimeve nëpërmjet një uljeje madhore çmimesh për rastet e festave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA