Milani interesohet për Carvalhon

26/12/2012 14:10

Milani është vënë në kërkim të një qendërmbrojtësi me përvojë, pavarësisht deklaratave të administratorit të deleguar, Adriano Galliani, i cili më parë u shpreh se do të ndërhyhet në merkato vetëm për blerjen e sulmuesve, edhe kjo nëse Pato dhe Robinho do të largohen.

Sipas asaj që raportuan të mërkurën uebsajtet “Calciomercato” dhe “TuttoMercato”, kontaktet midis Milanit dhe Realit për veteranin Ricardo Carvalho janë intensifikuar gjatë këtyre ditëve.

Ndonëse në këtë sezon ka kaluar në plan të dytë tek Reali, portugezi ka përvojën e mjaftueshme për t’i ofruar garanci mbrojtes kuqezi, repartit më problematik të skuadrës së Allegrit në këtë sezon.

Megjithatë, në mënyrë që të transferohet në “San Siro”, Carvalho duhet të pranojë reduktimin e pagës së tij, prej 4,5 milionë eurosh në sezon.

Në këtë sezon, portugezi ka luajtur vetëm në disa ndeshje të Kupës së Mbretit dhe rendimenti i tij ka qenë i dobët.

Top Channel