Një autobombë ka vrarë të paktën tre civilë afganë në afërsi të një baze ushtarake amerikane, në qytetin jug-lindor të Khostit, në Afganistan.
Policia lokale thotë se atentatori drejtonte një minibus të mbushur me eksploziv që kishte si objektiv bazën Camp Chapman, por automjeti shpërtheu në afërsi të hyrjes pasi rojet hapën zjarr.
Autoritetet nuk raportojnë për viktima mes forcave të koalicionit, por gjashtë afganë, tre roje dhe tre kalimtarë, mbetën të plagosur. Në një deklaratë, guerrilasit talebanë morën përsipër përgjegjësinë e sulmit.
Në qytetin Khost, që ndodhet në kufi me Pakistanin, është verifikuar së fundmi një rritje dramatike e akteve të dhunës.
Në tetor në këtë qytet një atentator vetëvrasës vrau të paktën 20 persona, tre prej të cilëve ushtarë të NATO-s. Ndërsa në qershor, po një kamikaz vrau 21 vetë, përfshirë tre ushtarë amerikanë dhe një përkthyes vendas.
Grupi terrorist Hakani, që vepron përkrah talebanëve, kryen rregullisht sulme me përmasa të gjera në këtë qytet, përmes atentatorëve vetëvrasës.
Top Channel