
Rafael Nadal nuk e sheh të mundshme rikthimin në formën e tij më të mirë, përpara turneut të Indian Wells, në mars.
Spanjolli, i cili do të rikthehet në fushë më 27 dhjetor në Abu Dhabi, pas 6 muajsh ndalesë për shkak të një dëmtimi në gjurin e majtë, shpjegon për një të përditshme spanjolle se do të shfrytëzojë këtë dalje të parë, për të parë “si po përparon rikuperimi i tij”, si dhe për të kuptuar se si fiziku i tij “do të reagojë para intensitetit të madh, duke ditur se do të ketë përballë lojtarë të nivelit të lartë”.
Nadal, sigurisht që gjuri i tij nuk është ende në 100%, është i përqendruar më shumë te kondicioni i tij, sesa te një program afatgjatë. “Për sezonin e ri, – bën të ditur mëngjerashi nga Mallorca, – objektivi im i vërtetë nuk është Australia Open në janar, por duhet të jem në kushte perfekte në Indian Wells dhe Miami, për të shkuar kështu në Montecarlo në prill, me synimin për ta rikthyer sezonin në rrugën e duhur”.
Turneu i fundit i fituar, në “formë të mirë”, ka qenë Roland Garros dhe, me shumë mundësi, do të jetë sërish Franca, vendi ku do të mund të shohim sërish Nadal-in më të mirë.
Top Channel