Një ditë para mbledhjes së këshillit bashkiak, ku do të kalojë për miratim buxheti për vitin 2013 dhe plani urbanistik, këshilltarët socialistë deklarojnë votën kundër, pasi sipas tyre buxheti dhe plani urbanistik janë një mashtrim, sepse edhe pse kanë kërkuar të njihen me të dy këto projekte, nuk u është vënë në dispozicion, ndërkohë që paralajmërohen taksa të reja.
“Na kërkohet të ngremë dorën e të themi po për taksa të reja, ndërkohë që ne mendojmë se nëpërmjet tyre do të mbushet gropa e krijuar nga mosrealizimi i të ardhurave. 800 milionë do të jenë të ardhurat, që parashikon Bashkia e Tiranës, vetëm nga vendosja e dy taksave të reja. Përse në shumë objekte të minibashkive, duke filluar nga 1 dhe deri të 11, vetëm sa janë hapur punimet dhe janë prerë shiritat. Ky buxhet është ai i mashtrimit të madh. Parashikohen investime në 2013 prej 2,8 miliardë lek, kur gjatë relacionit, ashtu vjedhurazi me sa duket, u ka shpëtuar një shifër: realizimi i pritshëm i 2012-s është vetëm 1,2 miliardë lek”, tha Adriana Berberi.
Sipas këshilltarit Genti Gazheli, buxheti i Bashkisë së Tiranës për 2013 parashikon më shumë shpenzime për paga dhe shtim punonjësish, në strukturat e Bashkisë, dhe shumë pak investime.
“21 milionë dollarë të shpenzuara vetëm për rroga. Pikërisht për këtë mendon kryetari i Bashkisë Tiranë. 3,7 milionë dollarë në buxhetin e Bashkisë për vitin 2013, nga shtesa prej 471 personash. E ka akuzuar zotin Rama pafund, për rritje shpenzimesh për stafin. Inspektoriati i Ndërtimit Urban ka kërkuar të shtojë 50 persona. Të gjithë, sot në Tiranë, e dimë se çfarë ndodh me këtë inspektoriat. Ka 180 ndërtime pa leje sot në Tiranë. Taksidarët e zotit Basha kanë kërkuar rritje të personelit, policia bashkiake ka kërkuar rritje të numrit të punonjësve, e bërë gati për fushatë me militantë, të cilët shpërbejnë me devotshmëri në datën 23 qershor. Rriten shpenzimet koherente në kurriz të shpenzimeve kapitale, pagat, shpenzimet operative, sigurime shoqërore”, tha Genti Gazheli.
Kreu i grupit të këshilltarëve socialistë, Aldrin Dalipi, ka deklaruar votën kundër të dy projekteve, pasi sipas tij stimulojnë korrupsionin dhe shkatërrimin e qytetit të Tiranës.
“Një vit më parë u shpall sipas kryetarit të bashkisë, projekti më i madh në historinë e Tiranës, kur në fakt ishte më i vogli, më i parealizueshmi dhe më i dështuari për fat të keq. Politika e vjetër e konfliktit dhe mashtrimit tentoi përsëri të gënjente qytetarët për investime, ndërsa për dy vite me radhë mbajtën peng buxhetin në këshillin bashkiak. Por ata qeshin. Kanë veshur djallin me Prada dhe flasin tërë ditën për interesin qytetar e në darkë numërojnë milionat e korrupsionit nga plehrat dhe ndërtimet pa leje, nga zënia e hapësirave publike apo karrotrecat, që tmerrojnë qytetin duke u bërë unikë në botë për rrëmbimin e makinës pa nam e pa nishan nga vet shteti. Po le ta nisin nga kryetari, t’ia marrin makinën, që e parkon përditë duke thyer ligjin, mbi trotuarin publik pranë bashkisë”, tha Aldrin Dalipi.
Sipas këshilltarëve të majtë biznesi i vogël është në krizë për shkak të taksave, ndaj janë mbyllur 3800 subjekte.
Top Channel