Aleksandër Çipa – Paratë janë “degdisur” jashtë Shqipërisë. Bëhet fjalë për një shumë prej 1.3 miliardë dollarësh në harkun kohor të 10 vjetëve. Raporti që e zbulon dhe publikon këtë shifër është ai i GFI dhe që në njëkohësi me raportin periodik të TI-së (Transparency International) e rendit vendin tonë në indeksin e korrupsionit në nivel alarmant dhe në rënie drastike. Ka mjaftuar ky fakt që opozita natyrshëm të reagojë, madje edhe të deklarohet për konsistencë në të ardhmen, për ndjekjen e gjurmëve të këtij krimi transferues të parave nga Shqipëria në bankat e botës.
Natyrisht ky është roli natyral i saj, por po kaq qetësi “olimpike” po dëshmon edhe qeveria, e cila përmes ministrit të Financave, zotit Ridvan Bode, u përgjigj, madje duke mos e konsideruar alarmante shifrën e përmendur nga raporti i GFI.
Ndërkohë në reagimin institucional për këtë shifër tronditëse, edhe pse ka kaq ditë, nuk ka asnjë reagim apo masë koordinuese për të nisur hetime apo auditime respektive. Gjithçka lihet sikur është pjesë e një realiteti që ka lidhje me dikënd tjetër, pra me një vend tjetër dhe me një shoqëri të huaj, dhe jo të jetë thelë e rëndë dhe gati rrënuese për financat shqiptare, buxhetin e njerëzve dhe shtetit dhe sidomos për të ardhmen me perspektivë përkeqësimesh të paralajmëruara.
Kjo nuk është hera e parë. Por kjo është shifra e vetme kaq e madhe dhe e përmbledhur që ekziston në atë “katakomb” financiar të panjohur, përmes të cilit rrjedhin paratë e shqiptarëve dhe sidomos ato të siguruara në rrugë të pista e të zymta prej korrupsionit zyrtar, prej nëpunësisë dhe titullarëve të paskrupullt, makutë dhe prej segmenteve të shtuara të krimit dhe falangave të kamura të tij. Mirëpo kjo provë e ardhur zyrtarisht nga jashtë, sipas të gjitha gjasave, ka për të qenë një fakt jo shqetësues për protagonistët realë, të njohur e të panjohur. Nuk kanë për t’u shqetësuar ata që tashmë janë prej vitesh, posedues miliarderë të llogarive bankare të shpërndara, së bashku me komunitetin e njohur të të kamurve të shkuar e të kaluar nëpër pushtete dhe qeverisje të korruptuara të vendeve me tranzicione kësi llojesh.
Opozita duket se po rikthehet në këtë fushatë elektorale tek filozofia dhe parimi faktologjik i të bërit të politikës. Dhe kjo është evidente në protagonizmin denoncues që po marrin një sërë deputetësh të saj, sidomos më të përditshmit dhe aktivët në këtë aksion, zotërinjtë Taulant Balla, Erion Brace apo Saimir Tahiri etj. Akuzat e tyre janë të forta, pasi peshojnë disa shifra dhe llogari të cilat do bënin efekt dhe shkaktonin ndjeshmëri edhe në vende me popullsi disa qindra milionë banorë e jo më, në një Shqipëri të vogël si kjo e jona, që i paska pasunarët e rinj të pajisur me mandate dhe ofiqe në këta 10 vjet, si të jenë trashëgimtarë të Oasit, Abramovich-it, Murdock-ut , etj. Ose në rastin më të keq, si të jenë bashkëpunëtorë të Sebastian Coe-s, kontrabandistit të famshëm anglez!.
Fushata e denoncimeve opozitare me shifra dhe fakte tronditëse, duket se po përcaktohet si arma e parë elektorale në marrëdhëniet mes socialistëve dhe qeverisë së zotit Berisha. Një aksion i saponisur dhe që politikisht është tejet i lexueshëm, pasi qysh në nisje ekspozon diferencën që përpiqet të krijojë akuzatorja opozitë mes bashkaksionerëve të pushtetit të deritanishëm qeverisës. Në të vërtetë kjo është një armë që përdori aq energjikisht zoti Berisha në fushatën e vitit 2005, kundër qeverisjes socialiste apo kundër ish-kryebashkiakut Edi Rama në vitin 2009.
Por le të mbetemi te propaganda faktologjike opozitare e deputetëve socialistë dhe te shprehja apo reagimi vetëm virtual i udhëheqësit kryesor të opozitës. Shifrat e fituara nga pagat e lektorimit dhe pedagogllëkut nga e bija e Kryeministrit dhe dhëndrit të tij, janë një argument që po gëlon nëpër bisedat e lira dhe pasionante të mijëra qytetarëve dhe militantëve. Këto shifra, kanë ndezur bisedat edhe brenda anëtarësisë së gjerë të votuesve të shumicës parlamentare. Në PD ka përflitje të ndezura, por të padala jashtë “shtëpie” për kësi të dhënash, shifrash dhe punësh. Treguesit e tjerë të përdorimit të financave për investime apo koncesione, në të cilat opozita ka akuzuar për lidhje nepotike apo klienteliste, janë një tjetër provë e shtuar faktologjike në debatin politik dhe në përballjen elektorale pozitë-opozitë që ka nisur. Blloku ende është në faqet e para, sipas gjasave. Por nëse në “faqet” e mëtejshme ka për të pasur shifra dhe të dhëna edhe më tronditëse, atëherë kalimi nga një e “keqe tronditëse” tek disa të këqija që janë shumë numerikisht, rrezikon të banalizojë vërtetësinë dhe më së shumti besueshmërinë publike. Në Shqipërinë e tranzicionit, kjo skemë është e shumëpërdorur. Sipas gjasave ka për të qenë e pashmangshme, pasi vetë opozitarët deputetë që kanë marrë përsipër protagonizmin akuzues dhe denoncues, nuk shkojnë qëllimisht më tej. Si nën komandë, këtë gjë nuk e bëjnë as mediat, të cilat fatkeqësisht janë duke bërë raportim jo të plotë dhe profesional, të pabalancuar dhe aspak verifikues. Mediat janë duke raportuar në mënyrë të njëanshme vetëm akuzatorin dhe nuk respektojnë parimin themelor të konfirmimit apo kundërthënies së të akuzuarit dhe institucionit zyrtar. Asnjë reporter apo editor nuk ka shkuar pranë universiteteve ku lektorojnë pjesëtarët e familjes së Kryeministrit për të konsultuar evidencat zyrtare të borderove apo honorarëve të paguara nga universitetet jopublike apo financuesit e kërkimit dhe botimeve studimore të tyre. Asnjë media nuk kërkon për llogari të qenësisë ose jo të vërteta, këto fakte të publikuara, pranë universiteteve apo administratorëve që janë zyrtarisht partnerë financiarë dhe të kontraktuar, të familjarëve të Kryeministrit. Pse ky hezitim? Pse kjo shmangie dhe privim i të prekurit nga e drejta e prononcimit apo përgënjeshtrimit? Po opozitës pse i mungojnë këto dokumente dhe pse deputetët opozitarë preferojnë të deklamojnë shifra dhe disa fletë dhe nuk kryejnë të plota aktet e denoncimit juridik?!
Opozita, por sidomos deputetët aktivë të saj, të papasuar nga solidariteti i bindjes faktologjike nga pjesa shumicë e opozitarëve në Parlament, po rrezikon humbjen e sensit të masës dhe të besueshmërisë. Ky është një kërcënim serioz, pasi e keqja në këtë mënyrë luftohet me maskën e përdorur dikur nga Kryeministri që vetëquhej i “duarve të pastra” apo i “tolerancës zero” ndaj korrupsionit.
Opozita e sotme është ekspozuar si e dyshuar për rezultatin triumfues në zgjedhjet e 23 qershorit të 2013-s, ndër të tjera edhe për këtë arsye. Për provën e munguar të ndërgjegjes së nënshtrimit ndaj ligjit dhe provës juridike. Kjo opozitë, pavarësisht nga ankesat, refuzimet dhe denoncimet që ka bërë dhe vijon të bëjë ndaj gjyqtarëve që kanë gjykuar proceset ndaj deputetëve të saj, do të ishte e vlefshme ta orientojë sjelljen dhe misionin e vet kah serioziteti dhe dokumentimi i të vërtetave të saj. Vendimet penalizuese që jepen nga gjykatat tashmë të paragjykuara dhe gjykatësit e paintegritet dhe pa kurajë pavarësimi, ndaj deputetëve opozitarë, në proceset e hapura nga deputetë të shumicës apo familjarë të Kryeministrit, janë një argument juridik dhe kushtetues i bazuar. Opozita nuk bën avokaturë dhe arsyetim publik juridik rigoroz për kazuset apo provat e veta. Kjo është një e keqe që i sjell pasojë në besueshmërinë, mbështetjen dhe sidomos në të drejtat e saj të shtrembëruara nga drejtësia e kapur.
Rilindjen nuk e sjellin ankimtarët, por ideologët dhe luftëtarët e kurajshëm, të cilët aspiratat e tyre i sendërtojnë si sjellje, kulturë, veprimtari dhe anë tjetër kontrasti me gjendjen e ndenjur të korrupsionit. Opozita është e mbështjellë në perceptimin publik me shpërgënj skepticizmi për shumë aspekte, por ndër të tjera, edhe për mungesën e peshës specifike të së drejtës juridike dhe faktologjike të akuzave të veta. Është koha që opozita të mos iniciojë procese akuzash elektorale, por të imponojë drejtësinë e munguar të vihet në shërbim të fakteve kokëforta dhe bëmave që nuk i mbulon dot as drejtësia e sotme e as ajo e ardhme. Opozita e arrin suksesin kur shndërrohet në avokate rigoroze dhe konsistente e të vërtetave të saj dhe jo kur i ngre ato për periudha elektorale. Skema për drejtësi elektorale është e vjetër dhe e keqpërdorur përgjatë dy dekadave të tranzicionit. Ati protagonist i saj është vetë Kryeministri Berisha, madje tashmë i moshuar edhe falë riciklimit të kësaj arme në përballjen me të majtët dhe përfaqësuesit aktualë të tyre. Përballë tij, opozita bëhet sfidante vetëm duke dëshmuar besnikërinë e pakohë ndaj të vërtetave të dokumentuara dhe të provuara juridike. Ky mision i vlen opozitës, por i nevojitet ekzistencialisht, shtetit të ardhëm dhe shoqërisë shqiptare.
Top Channel