Ne jemi patriotë rumti rumti rumta

23/12/2012 13:20

Kamber Velaj – “Ne jemi dy shqiponja rumti rumti rumti rumta…” Janë dy zogj shqiponje që këndojnë këtë këngë. Pastaj vjen gjarpri, që do t’i hajë. Pastaj vjen Trimi, një tip me karakter të dyshimtë që i shpëton zogjtë nga gjarpri, jo se i dhimbsen fort, por sepse gjarpri ia ngre nervat.

Pastaj vjen shqiponja nënë, e egër, gati sa nuk e vret trimin, ndërsa zogjtë e saj, kopilë të vërtetë, e kanë mendjen të bëjnë shaka edhe kur shpëtimtari i tyre rrezikon jetën. Gjithsesi, sqarohen dhe shqiponja me Trimin lidhin besë, bëjnë aleancë për të mbrojtur njëri-tjetrin nga padronia e gjarprit të vrarë, shtriga Sava. Trimi ka dy vajza, Albanën dhe Dardanën. Kjo e dyta është kokrra e debiles, naive sa më s’ka dhe për faj të saj të dy motrat burgosen nga shtriga Sava. E Trimi, jua thashë që në fillim, është tip i paqëndrueshëm. Pa një pa dy bën pakt me shtrigën, i premton të vrasë zogjtë e shqiponjës në këmbim të lirisë së vajzave të tij. Shkel besën që i dha shqiponjës nënë dhe lidh besë me shtrigën. Por është shumë i paqëndrueshëm, tamam politikan, dhe ndërron shpejt qëndrim. Vendos të riaktivizojë paktin me shqiponjën dhe shkon të sulmojë shtrigën. Në fund, Trimi dhe vajzat shpëtojnë, ndërsa shqiponja me dy të vegjlit vdesin në përleshje me shtrigën e keqe, Sava.

Ky është me pak fjalë skenari i një teatri kukullash që u shfaq për më shumë se një muaji në Teatrin Kombëtar të Fëmijëve në Tiranë. Është një skenar i thjeshtë, që i drejtohet një audience fëmijësh të vegjël, nga 3 në 6 vjeç. Në një kronikë televizive, rreth një muaj më parë, dëgjova se kjo shfaqje i kushtohej 100-vjetorit të Pavarësisë dhe synonte të përcillte mesazhin e bashkimit të shqiptarëve dhe mesazhe të forta patriotike te fëmijët. Për më tepër, referuar kronikës në “Ora News”, kjo shfaqje na qenkësh një projekt i Ministrisë së Kulturës.

Shfaqjen në fjalë më ka rastisur ta shoh tri herë me djalin tim dyvjeçar dhe nuk gjeta asnjë mesazh patriotik. Vërtet kishte shqiponja në qendër të shfaqjes, por të tria kishin cene të dukshme: nëna ishte shumë e egër, ndërsa fëmijët shumë të djallëzuar. Shfaqja ka edhe dy vajza me emra që simbolizojnë Kosovën dhe Shqipërinë, Dardana dhe Albana, por në dialogë duket si e qëllimshme që të jepet mesazhi se Dardana (Kosova) është mendjelehtë dhe ndoshta e ka pasur vetë fajin për humbjen e lirisë. Pastaj Trimi, që pretendohet të përfaqësojë shqiptarin me vlerat e tij më të mira, është asgjë më shumë se një i pafytyrë që jep besën dhe e shkel si t’ia lypë nevoja. Për mua është ende mister përse shtriga e shfaqjes e ka emrin Sava. Ne kemi vetëm një personazh të historisë me emër të ngjashëm, Vojsavën, nënën e Gjergj Kastriotit…

Për fat të mirë, djali im është ende i vogël për të kuptuar simbolikën e kësaj shfaqjeje, nga e cila ka mësuar vetëm këngëzën “Ne jemi dy shqiponja rumti rumti rumta…” dhe emrin e shtrigës, Sava. Do mundohem që kur të rritet e të mësojë në shkollë për nënën e Skënderbeut, t’ia mbush mendjen se nuk ka lidhje me shtrigën e teatrit të kukullave.

Por kam frikë se derisa ai të rritet e të kuptojë do të më duhet të mbaj shumë shënime, jo vetëm nga teatri i kukullave. Kam frikë se do të më duhet t’i sqaroj se monumenti i pavarësisë në qendër të Tiranës nuk është menduar që në fillim për WC publike, apo që Nënë Tereza nuk ka asnjë lidhje me fluturimet, edhe pse e kanë bërë në formë rakete pranë Aeroportit të Tiranës. Druaj se do më duhet t’i sqarojë herët a vonë, se ne jemi republikë, edhe pse i kemi bërë monument një mbreti dhe i thërrasim princ nipit të tij. Shpresoj shumë, që të kem mundësinë që pas disa vitesh, kur ai të kuptojë, t’i sqaroj se ka qenë një kohë kur ne në Shqipëri nuk merrnim seriozisht asgjë, se mendonim të fitonim ndonjë lek, edhe në emër të flamurit apo heronjve dhe, duke e pasur mendjen te leku, e kemi shkelur ndonjëherë. Shpresoj shumë që t’i them, “ashtu ishte koha” dhe ai të mos gjejë dot shembuj të ngjashëm me kohën e tij.

Marre nga “Gazeta Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA