Planin urbanistik të Tiranës e kritikojnë edhe përfaqësues të shoqërisë civile. Artan Lame thotë se, pas studimit që i ka bërë këtij plani, rezulton se hapësirat e gjelbra do të reduktohen, duke zhdukur edhe ato që ekzistojnë. Sipas tij, justifikohen me ndërtimin e parqeve në periferi, që janë të parealizueshme për shkak të ndërtimeve në këto zona.
“Për zonat e gjelbra, për fat të keq, jo vetëm që nuk flitet për shtim, por treten edhe këto që janë. I gjithë korridori i gjelbër pranë Lanës, me këtë planin e tyre, duke qenë se i kanë zënë të gjitha hapësirat e tjera dhe s’mbetet më, edhe ky zihet me ndërtim, sepse parashikojnë 2 linjat e tramvajit të ndërohen në atë copëz të gjelbër, që ka lumi i Lanës. Parku mbrapa Pallatit të Kulturës, me këtë plan zhduket. Parku i Namazgjasë zhduket, ashtu sikurse zona e gjelbër te shtëpia e oficerave. Parku te fusha e aviacionit gjithashtu zhduket. Edhe parqet, për të cilat mburret aktualisht Bashkia, si ai i sapombaruar mbrapa Pallatit të Kulturës, zhduken”, u shpreh Lame.
Bashkia e Tiranës sipas planit të ri urbanistik, sipas Lames, llogarit shtimin e hapësirave të gjelbra në tarracat e pallateve.
“Gjelbërimi aktual brenda qytetit është 40 hektarë dhe sipas planit të tyre do ta çojnë në 340 hektarë. Le të vrasë mendjen çdo lloj shkencëtari, se si mundet që nga 40 hektarët aktualë, duke hequr të gjitha lulishtet, të çohet në 340 hektarë. Pasi vrava mendjen dhe studiova të gjithë materialin e këtij plani, gjeta një vend aty, ku thuhej se do gjelbërojmë tarracat e pallateve dhe oborret e shtëpive” shtoi Lame.
Ndërsa përsa i përket ndërtimeve, Lame shton se do të ketë një shtim të betonizimit në qendrën e qytetit, tashme edhe pa respektuar kriteret e vëna më parë.
“Në zonën tradicionale të qytetit, atë brenda unazës, intensiteti i ndërtimit kalon në limitet e çmendurisë, duke shkuar dalëngadalë drejt zonave të periferisë, ku ulet në fare minimal. Duke ndaluar periferitë dhe zonat informale të ndërtojnë, është e vetmja mënyrë që të shiten pallatet, që do të bëjnë në qendër. Kufizimi i kateve në Tiranë, i cili ishte deri në 8 kate, tashmë hiqet dhe bëhet thjesht hajde te Bashkia dhe e zgjidhim së bashku. Që ky plan nuk do e rregullojë Tiranën, kjo duket. Por, që është e sigurt se do ta shkatërrojë, edhe kjo është shumë e dukshme”, përfundoi ai.
Lame ngre me shqetësim heqjen e statusit ‘zonë e mbrojtur’, duke i hapur rrugë betonizimit edhe në ato zona, ku nuk lejohej më parë.
Top Channel