“Do të përballeni me drejtësinë”

23/12/2012 15:25

Pavarësisht deklaratës së fëmijëve të kryeministrit Berisha të cilët thonë se të ardhurat e tyre ja përfituar nga burime të ligjëshme dhe të kontrolluara, kjo nuk e ka frenuar deputetin socialist, Taulant Balla të vijojë së kërkuari transparencë prej tyre, për mënyrën e përfitimit të pasurisë së deklaruar në ILDKP.

”Jam thellësisht i keqardhur që Argita dhe Shkëlzen Berisha reaguan vetëm duke shpifur për Kryetarin e Partisë Socialiste dhe jo duke sqaruar si e kanë vënë pasurinë e tyre përrallore. Aq më keq që kërcënuan me një tjetër proces gjyqësor, në vazhdën e gjyqeve që kanë hapur me opozitën, në një përpjekje të dëshpëruar dhe të kotë për të na mbyllur gojën”, deklaroi Balla, nga selia rozë mesditën e së dielës.

”Por, sot unë do doja t’i kërkoja Argitës dhe Shkëlzenit, që t’u thonë shqiptarëve se si mund të behen edhe ata kaq të pasur pa qenë fëmijet e Saliut. Dhe s’do ishte keq që të na tregonin, qoftë Argita, qoftë Shkëlzeni, sa taksa kanë paguar për pasuritë e vëna gjatë një viti, sepse këtë s’kemi mundur ta mesojmë dot, pasi shteti ka frikë të japë informacion për vajzën dhe për djalin e babit Kryeministër. Meqenëse Argita dhe Shkëlzeni po qahen se ne thjeshtë po komentojmë të çuditur deklaratat e tyre të pasurisë, pse të mos u tregojnë qetësisht shqiptarëve si mund të jepen tërë këto shtëpia me qera e si mund të mblidhen tërë këto para në këto kohë krize, ndërkohë që shqiptarët që s’kanë lidhje me oborrin e babait të tyre vuajnë për bukën e gojës! 42 milionë lekë vetëm qera”.

Deputeti Balla ftoi Shkëlzen dhe Argita Berishën të heqin dorë nga ajo që  ai e quajti gjuhë kërcënimi.

”Argita dhe Shkëlzeni i babit bëjnë mirë t’i lënë kercënimet, se nëse përmes gjyqeve nuk arritën deri më sot t’i mbyllin gojën opozites, sigurisht që nuk kanë për t’ia dalë këto 5 muajt e fundit që i kanë mbetur. Por, Argita dhe Shkëlzeni i babit, më shumë sesa opozitës, i detyrohen një shpjegim shqiptarëve të thjeshtë. i detyrohen një shpjegim mësuesve të thjeshtë:  Si ka mundësi që Argita dhe bashkëshorti i saj fitojnë  210 milione lekë në një vit të vetëm nga mësimdhënia, ndërkohë që mësuesia në këtë vend të qeverisur nga babi i Argitës është kthyer në një profesion të varfër? Cilat janë bizneset që kanë ndihmuar, apo konsultuar Argita dhe Shkëlzeni? Cilët janë pronarët e tyre? A ka patur ndonjë lidhje mes këtyre bizneseve dhe punës që bën babi i Argitës dhe Shkëlzenit?  Pas konsulencës me Argitën dhe Shkëlzenin, a kanë perfituar para publike, licensa apo koncesione të pasurive shtetërore, nga ato që i menaxhon babi Saliu? Këtë tu thonë shqiptarëve Argita dhe Shkëlzeni”, vazhdoi akuzën e tij Balla.

Me tone kritike, njëkohësisht  dhe doza ironie nga selia rozë Taulant Balla u tha fëmijeve të kryeministrit se nuk do të jetë e largët dita kur ata do të përballen me drejtësinë.

”Prandaj o kalamajt e babit ju mund te hapni gjyqe te tjera dhe madje edhe t’i fitoni ato me ushtarët e korruptuar të babit në gjykata, po s’mund ta mbuloni të vërtetën e hidhur të qeverisjes së stërkorruptuar të babit tuaj! Prej të cilës keni perfituar dhe vazhdoni të përfitoni përditë, ndërkohë qe ju e dini mirë, se ju ka mbetur edhe shumë, shumë pak kohë, pak muaj, pak javë, pak ditë, deri sa t’Ju duhet të perballeni edhe ju me drejtësine, me drejtësinë e pavarur, me drejtësinë që punon për shqiptarët dhe Shqiperinë tonë, jo për babin tuaj”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA