Kur është mbushur një vit nga zhdukja misterioze e Ilir Kumbaros, i cili ishte në pritje të seancës së ekstradimit nga Londra drejt Shqipërisë, policia metropolitane thotë se ka intensifikuar përpjekjet e saj për gjetjen e vendndodhjes së ish-shefit të shërbimit sekret të Tiranës, në kohën e ish-presidentit Berisha.
Murray Duffin, nga njësia e ekstradimeve në Scotland Yard, thotë për gazetën britanike “The Daily Star” të Londrës, se lajmi i dënimit të tij ka përforcuar përpjekjet për të sjellë Kumbaron përpara drejtësisë.
Ish-drejtuesi i SHISH, 59-vjeçari Kumbaro, arriti të arratisej nga Londra në nëntor të 2011, në kohën kur ishte liruar me kusht për t’u paraqitur në seancën e radhës për ekstradimin e tij, në Gjykatën e Westminster-it, seancë e cila do të vendoste për fatin e tij, i cili me shumë gjasa do të ishte dërgimi në Tiranë për t’u përballur me drejtësinë për akuzat e zhdukjes dhe vrasjes së biznesmenit Remzi Hoxha.
Gjykata e Krimeve të Rënda e denoi Kumbaron me 15 vite burg. Zyrtarët britanikë nuk japin hollësira, nëse Kumbaro është ende në Britani apo nëse ka mundur të largohet prej territorit britanik. Nëse Kumbaro është larguar nga Britania, kërkimet e tij bëhen akoma më të vështira, se sa nëse do të ndodhej në territorin britanik. Ndaj tij, që prej një viti, është lëshuar urdhër ndërkombëtar arresti.
Top Channel