Juventus-it i është dashur një dopietë e ish-it, Alessandro Matri, për të marrë maksimumin ndaj Cagliari-t, në një nga dy ndeshjet e para të javës së 18-të të Serie A.
Në fushën neutrale të Parma-s, bardhezinjtë fitojnë 3-1 në minutën e 92-të, duke përmbysur avantazhin e përkohshëm të sardëve, nga pika e bardhë e 11-metërshit, e kontestuar, me anë të Pinilla-s.
Në pjesën e dytë ndodh gjithçka: Agazzi bën mrekullinë ndaj Asamoah, Vidal gabon nga penalltia dhe Vucinic vulos golin e tretë. Gjithçka mes kontestimeve ndaj arbitrit.
Cellino: Kampionati është fals
Presidenti i Cagliari-t, Massimo Cellino, ka shpërthyer pas humbjes me Juve-n në stadiumin e Parma-s. “Futbolli ma shpif, ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Juventus, duke mos treguar gadishmërinë për të ardhur në Parma, nuk ka treguar sportivitet. Kemi ardhur këtu nxitimthi, mbetëm me 9 lojtarë dhe me një gjykim të pamjaftueshëm. Juve mund të kishte fituar sërish, por kampionati është fals. Dua të largohem nga ky futboll”.
Conte: Kam bërë më mirë se Capello
Fitorja kundër Cagliari-t ka gëzuar edhe njëherë Juventus-in dhe Antonio Conte-n. “Djemtë janë kundërpërgjigjur mjeshtërisht, Cagliari nuk bëri as edhe një gjuajtje në portë”. Me 94 pikë, gjatë një viti kalendarik, Conte ka mposhtur Capello-n, i cili u ndal në kuotën e 93 pikëve me bardhezinjtë. “2012 ka qenë një vit i pabesueshëm, kemi bërë diçka të pabesueshme”. Në lidhje me polemikat e Cellino-s: “Nuk më intereson çfarë thotë ai, unë flas vetëm me trajnerët”.
Top Channel