Allegri: Të fitojmë ndaj Roma-s, për klasifikimin

22/12/2012 03:30

Ambiciet e së ardhmes së Milan-it kalojnë nga “Olimpico”. Allegri e di mirë këtë. “Fitorja në Romë do të na lejonte të bënim një tjetër hap drejt ngjitjes në klasifikim. Nuk kemi bërë ende asgjë”.

Për të mbyllur me buzëqeshje 2012-n, trajneri kuqezi kërkon fitoren dhe kapërcimin e verdhekuqve, por nuk do të jetë e lehtë. “Zeman është një nga trajnerët më të zotë, një nga mësuesit më të mirë të futbollit, që janë në qarkullim, por edhe Roma është e rrezikshme”.

“Të shtunën do të jetë një ndeshje e vështirë, – ka shpjeguar Allegri. – Duhet të jemi të zotë në fushë, taktikisht duhet të mos gabojmë pothuajse aspak, sepse Roma, kur hidhet në sulm, bëhet tepër e rrezikshme. Duhet të zhvillojmë ndeshjen perfekte, duke ditur se është një përballje direkte, ndaj një skuadre që, teknikisht, është nga më të fortat në kampionat, me lojtarë të mirë dhe të kënaqur me modulin e adoptuar së fundi”, shtoi ai.

Zeman: Nuk jam nën presion

Në “Olimpico” vjen Milan dhe Zdenek Zeman e di, që nuk do të jetë një sfidë normale, mbi të gjitha pasi Pallota ka kërkuar zonën Champions. “Nuk jam nën presion, e kam thënë që nga fillimi se Roma duhet të jetë kompetitive, që duhet të luajë për diçka të rëndësishme. Nëse ia del apo jo, varet nga shumë gjëra”, tha ai. Për Milan: “Do të jetë sfidë argëtuese, por shpresojmë që të argëtohemi më shumë ne”.

“Do të isha më i lumtur me 10 pikët, që kemi lënë rrugës. Skuadra nuk ka mundur të marrë atë që duhet, duke bërë gabime. Mund të kishte siguruar diçka më shumë”, shtoi ai. “Treni i fundit për Champions? Jo. Klasifikimi shihet në fund të kampionatit, mungon ende shumë”, shpjegoi trajneri roman.

Berlusconi: Dua njërin mes Pato-s e Robinho-s

“Shpresoj të mbaj të paktën njërin mes Pato-s e Robinho-s. Nostalgjia është një sëmundje e keqe, e cila ka goditur shumë profesionistë në të kaluarën”. Kështu është shprehur padroni i Milan-it, Silvio Berlusconi, përpara se të takohej me skuadrën, në përgatitje e sipër për takimin me Roma-n.

“Sa i përket merkatos, – ka shtuar ai, – nuk kam asnjë ide, veçse të mbaj një sulmues në ekip. Më pëlqen shumë Niang, i cili ngjan me Balotelli-n, por shpresoj të jetë ndryshe si njeri”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA