Fryma e Re Demokratike ka mbajtur pasditen e së premtes një aktivitet në Tiranë, pas ngritjes së degëve të saja në rrethet e vendit.
Kryetari i këtij grupimi politik, Bamir Topi, në fjalën e tij ka ftuar qytetarët që të bashkohen për një politikë të re, që të shkëpusë vendin nga tranzicioni dhe ta bashkojë me BE-në.
“Sot është një ditë e veçantë dhe historike për Tiranën dhe më gjerë. Sot jemi bashkë për një politikë të re që na ndan nga tranzicioni 22-vjecar dhe na bashkon me atë që na e ka dhënë Zoti por na e ka mohuar politika, BE-në. Sot fillon një cikël i ri, për një rilindje jo thjesht si ajo që përdoret në disa parulla politike, por një rilindje që ka një mision të ri që do të na bashkojë të gjithëve”, ka deklaruar Topi.
Ai ka shprehur bindjen e tij se qytetarët e Tiranës, por edhe në mbarë vendin, do të dinë të bëjnë zgjedhjen e duhur në favor të demokracisë dhe të së mirës së Shqipërisë.
Duke vijuar me komentet mbi situatën në të cilën ndodhet vendi, zoti Topi ka vënë në dukje se, sot Shqipëria ka nevojë për një qeverisje funksionale dhe jo personale dhe për integrim në BE përmes reformave dhe jo zvarritjeve, siç bënë dy partitë e vjetra.
“Shqipëria ka nevojë për më shumë ekonomi tregu dhe më pak burokraci dhe korrupsion. Ato ligje të kërkuara për integrimin duhet të votoheshin, por situata është shumë më komplekse. Fakti që shumë vende të BE nuk e lidhin integrimin vetëm me 3 ligjet, tregon se problemet janë më të thella”, ka thënë Topi.
Për këto probleme ish-presidenti i Republikës ka fajësuar kryeministrin Sali Berisha, i cili sipas tij e ka përdorur qeverisjen vetëm për afera korruptive dhe klienteliste.
“Sot në Parlament bëhet pak a shumë e njëjta gjë që bënte partia e diktaturës. Buxheti është tregues tipik i keqqeverisjes. FRD kundërshton ashpër shitjen e pasurive kombëtare për të pasuruar arkën personale”, është shprehur Topi.
“Aferat klienteliste nisin në zyrën e kryeministrit dhe përfundojnë në zyrat e Beogradit. Ai që sot hiqet si patriot, ka nxjerrë Shqipërinë në shitje me nismën “Shqipëria 1 euro”. Ai aplikon 1 euro për miqtë e tij dhe miliona euro për qytetarët e ndershëm”, ka vijuar ai.
Më tej ish-kreu i shtetit ka denoncuar edhe fondet që qeveria me kryeministrin e saj adreson tek “Klanet” e saj dhe në të njëjtën kohë lë në mëshirë të fatit shtresat në nevojë.
Në fund ai ka ftuar qytetarët e Tiranës që të bëhen promotor i ndryshimit dhe që më 23 qershor të zgjedhin modelin më të mirë ndaj dy partive të vjetra.
Top Channel