Prindër që japin dhe marrin jetë

21/12/2012 00:00

Elona Jaçellari – “Mendoj se një pjesë e të qenët prind priret drejt dëshirës për të vrarë fëmijët”. Është një nga shprehjet më polemizuese që ka lënë shkrimtari amerikan, i famshmi Stephen King. Tronditëse, por jo e paqenë.

E pamohueshme që shumë prindër gjithçka dhe gjithë jetën e tyre ua dedikojnë fëmijëve, sikurse ka të tjerë që me pretendimin e supremacisë dhe pushtetit të patjetërsueshëm ndaj krijesave të tyre, ua ndrydhin aq shumë impulset, saqë pa dashur kthehen në vrasës shpirtërorë. Me moralin e pashkruar të shoqërisë tradicionale shqiptare, por jo vetëm, shumë baballarë e nëna besojnë se kanë të drejtën absolute për të udhëhequr dhe kontrolluar jetën e fëmijëve. Mbase këtë ka dashur të shprehë edhe King, që kurrsesi nuk mund ta ketë imagjinuar që e drejta për të sjellë në jetë mund të kthehet në pushtetin për ta zotëruar atë. Por nuk mbetet kaq shpirtëror ky pretendim.

E kundërnjerëzishme, por ka prindër që të drejtën e sjelljes në jetë të një fëmije, e shpërdorojnë në mënyrën më brutale, si të jenë zotër të jetës së tyre. Të bindur se fëmija duhet të jetë zgjatim i qenies dhe dëshirave të tyre, kur krijesa devijon, vjen edhe reagimi më çnjerëzor. Vrasja…

Marjana Bregu ishte vetëm 14 vjeçe. Jetonte me ëndrra të pafajshme dhe ëndërronte një realitet ndryshe nga ai i zonës ku jetonte, Dukagjini. Por naivitetin ndaj mentalitetit patriarkal e pagoi me jetë. Babai i saj, Marshi, e vrau vetëm pse ajo guxoi t’i kthejë fjalën, vetëm sepse vajza shfaqi mosbindje ndaj detyrave të përditshme që i ngarkonte familja. Ngjarja nuk është shumë e largët në kohë. I përket gushtit të këtij viti.

“Motivet e dhunës dhe sidomos të krimit mbi fëmijët janë pasojë e mentalitetit injorant të disa prindërve që fëmijën e konsiderojnë “pronë” apo instrument të plotësimit të dëshirave dhe tekave personale”, thotë sociologu Gëzim Tushi. Ai vijon argumentin, duke u shprehur se, nuk është e thjeshtë kjo patologji e prindërve kriminelë që ngrenë dorën e krimit mbi fëmijët e tyre. Madje nuk janë në të gjitha rastet as devijimet psikologjike dhe psikopatologjike ato që justifikojnë akte të tilla barbare, të cilat shkojnë përtej kufijve të instinktit të mbrojtjes që e kanë edhe kafshët.”

Përtej mbrojtjes që nënkupton z. Tushi, a kanë nevojë jetët tona për “zotër” të tillë, “zotër” që për hir të egos dhe forcës së zakonit kryqëzojnë edhe krijesat e tyre? Zotër që mosbindjen e këmbejnë me vrasje.

E njëjta skenë krimi makabër u përsërit vetëm dy muaj më parë. Në fshatin Kostur të Hasit babai vret djalin. Një ngjarje e padenjë edhe për horror. Ylli Nabolli, 21 vjeç, vritet nga dora e të atit. Binaku, babai i tij 71 vjeç, nuk hezitoi t’i marrë jetën të riut pas një konflikti që pati mes tyre.

“Vetëm krimi mbi fëmijët i kryer nga prindërit e tij nuk ka asnjë rrethanë që e justifikon apo e motivon. Është jashtë çdo përfytyrimi human”, analizon sociologu Tushi. Sipas tij, ky është veprimi më i pamundur të shpjegohet dhe një prind i tjetërsuar si kriminel jo vetëm nuk mund të ketë emrin prind, por dhe ta konsiderosh bishë është pak. As kafshët nuk i vrasin, përkundrazi i mbrojnë me abnegacion “këlyshët”, qoftë edhe duke sakrifikuar jetën e tyre. Nuk është e qartë se çfarë është duke ndodhur me njerëzit që kanë anomali të tilla kaq kriminale dhe njerëzisht të pakonceptueshme, thotë Tushi.

Sikurse mbetet e pakonceptueshme edhe vrasja e foshnjës 3-ditore nga dritarja e maternitetit “Koço Gliozheni” këtë korrik, një ngjarje që tronditi fort. Aspak i justifikuar nga rrethanat veprimi i 29-vjeçarit Hysen Biba. Baba i të porsalindurit që vendos t’i marrë jetën të birit, si një hakmarrje ndaj bashkëshortes, mentalitetit apo kushedi tjetër se çfarë. Një krijesë e porsaardhur në jetë që kryqëzohet për konflikte dhe dyshime të paprovuara.

Por vetëm pak orë më parë, Orikumi prej Jugut të Shqipërisë kulmoi me një tjetër ngjarje makabër. Bashkë me nënën, përfundoi edhe jeta e pafilluar e një foshnjë të ngjizur nga një prej etërve që Zoti u ka dhënë bekimin për të pasur trashëgimtarë.

Ndjenja të errëta që prodhojnë krimin më të zi të një shoqërie. Vrasjen e fëmijëve nga prindërit e tyre. E paprecedentë! Megjithëse sociologu Gëzim Tushi thotë se, “fenomeni i dhunës dhe krimit ndaj fëmijëve nuk është dukuri e re që shfaqet në shoqërinë tonë sot. Është e njohur se fëmijët dhe gratë janë “viktimat universale” dhe objektet e përhershme të dhunës. Dhe, sipas tij, nuk është e evidentuar vetëm te ne kjo dukuri, ngaqë paternalizmi dhe e drejta e pakufizuar e prindit mbi fëmijët ka qenë një nga komponentët e ideologjisë totalitare që ka sunduar historikisht në shoqërinë njerëzore. Por përmasat e këtij fenomeni te ne janë shqetësuese dhe fenomenologjia e realizimit është tejet kriminale dhe e papranueshme. Fëmijët duhen mbrojtur nga rreziqet e krimit në familje dhe veçanërisht nga prindërit e papërgjegjshëm, pse jo dhe kriminelë të lindur”.

Dreqi ta marrë! Stephen King paska pasur të drejtë. Të jesh prind në një shoqëri të papërgjegjshme të dhënka të drejtën të japësh dhe padrejtësisht të marrësh jetë…

Gazeta “Shqip”

Top Channel