Pas përvojës në drejtimin e kombëtares se argjentinës në Botërorin e vitit 2010, Diego Armando Maradona është pranë rikthimit në stolin e një tjetër përfaqësuese.
I konsideruar në mënyrë unanime si një prej pesë futbollistëve më të mirë të historisë, Maradona është në bisedime me Federatën Irakene të Futbollit dhe sipas “La Gazzetta dello Sport”, marrëveshja është pranë nënshkrimit.
Aktualisht, kombëtarja e Irakut është pa trajner, pas dorëheqjes së brazilianit Ziko, i pakënaqur për vonesave në dhënien e pagës.
“Maradonës i është paraqitur një ofertë interesante për të drejtuar Irakun. Ai ka rënë dakord në parim dhe tani mbetet vetëm të diskutohen detajet e ofertës ekonomike. Megjithatë, mund t’iu konfirmoj se Diego është i interesuar”, deklaroi agjenti i Maradonës.
Lajmi për mundësinë e emërimit të Maradonës në krye të përfaqësueses irakene, vjen ndërsa në shtypin argjentinas ai është rikthyer në faqet e para të gazetave, për shkak të një zënke familjare, pasi gruaja zbuloi së fundmi një tradhëti bashkëshortore të 52-vjeçarit.
Top Channel