Ndërkohë që teknologjia zhvillohet pa pushim, Digitalb vazhdon të ecë me hapin e kohës. Me ecurinë e kësaj fushe bëhet i mundur edhe zhvillimi i mëtejshëm i prodhimeve ekzistuese, ofrohen risi në fushën televizive dhe jo vetëm.
Këto të reja platforma e të gjithë shqiptarëve do t’i vendosë në dispozicion së shpejti. Alban Jaho, drejtor i përgjithshëm i Digitalb, shprehet: “Gjatë vitit 2013 Digitalb do të implementojë një projekt të ri që kemi kohë për të cilin punojmë. Projekti konsiston në zhvillimin cilësor të strukturës teknike, optimizimin dhe përmirësimin e programeve ekzistuese. Do të futen edhe shërbime të reja televizive dhe jo televizive. Do të kemi komunikim interaktiv të dekoderit nëpërmjet internetit. Kryesorja do të jetë ofrimi i produktit të personalizuar me kërkesë nga konsumatori. Klienti do të ketë mundësi të zgjedhë në arkivë produkte të reja dhe të vjetra e t’i shikojë ato kur të dojë.”
Avancimin e teknologjisë e ndjek edhe programacioni. Agim Poçari, drejtor i programacionit të Digitalb, tregon: “Në periudhën e festave të fundvitit ne do të transmetojmë 24 orë në kanalin 3D. VOD-ja do të jetë një teknologji e re ku presupozohet që një lloj arkive do të jetë e ndarë në kategori dhe ti paguan vetëm atë që do të shohësh. Për programacionin e Vitit të Ri kemi siguruar mjaft filma artistikë nga më të mirët. Kemi siguruar koncertin e Elina Dunit, filmin e Skëndërbeut e shumë filma të tjerë shqiptarë.”
Filmat mund të shikohen përmes kartës Gold, tashmë 3-mujore. Kodi vendoset vetëm një herë dhe gjithçka mund të shikohet brenda tre muajve.
Hapësira të gjera edhe për sportdashësit. Ermal Toti, redaktor programacioni në Supersport, thekson: “Do të kemi një gamë të gjerë duke nisur nga aktivitetet kombëtare, kampionati shqiptar dhe ai kosovar, do të rikthehen ndeshjet e kampionatit europian dhe ndeshjet më të bukura të Ligës së Kampioneve përgjatë periudhës festive.”
Programacioni i Digitalb do të vazhdojë gjatë 2013-ës me filmat e rinj më të mirë të të gjitha kategorive, por edhe prodhimet e veta, si programi “180 gradë”, apo humori, me artistë nga Shqipëria dhe Kosova. Bashkëpunimet me Kosovën në fakt janë të rëndësishme për linjën editoriale të Digitalb.
“Do të synohet gjithmonë e më shumë promovimi i programeve televizive të territoreve shqiptare e veçanërisht programeve nga Kosova. Vip Shpija dhe kampionati kosovar i futbollit dhe basketbollit kanë qenë në Digitalb dhe do të shtohen edhe prodhime të reja”, shprehet Alban Jaho, drejtor i programacionit në Digitalb.
Shërbimet e Digitalb janë në dispozicion të të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen, e meqë besnikëria vlerësohet me oferta speciale veçanërisht për klientët që kryejnë abonime të gjata kohore.
“Produktet tona do të jenë të favorshme për abonentët tanë, sidomos ata afatgjatë. Ofertat do të jenë të shumëllojshme, jo vetëm periudha abonimi falas apo ulje çmimeshm, por edhe dhurata të tjera që nuk i përkasin fushës televizive”, deklaron Jaho.
Digitalb, në zhvillim të vazhdueshëm, në hap me kohën!
Top Channel