“Kukësi”, LSI bashkon votat me PS

20/12/2012 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim votoi pro kërkesës së Partisë Socialiste për ngritjen e komisionit hetimor për verifikimin e rritjes së popullsisë në Kukës, që i mundëson këtij qarku mbajtjen e mandatit të katërt të deputetit.

Megjithë bashkimin e 3 votave të LSI dhe abstenimit të ministrit Tavo, kërkesa u rrëzua nga demokratët me 69 vota kundër, kundrejt 62 pro.

Kërkesa e paraqitur nga PS ngjalli debate mes mazhorancës dhe opozitës në sallë. Kreu i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi tha se është e domodoshme zbardhje se çfarë po ndodh me listat e zgjedhësve në Qarkun e Kukësit. Sipas socialistëve, shtimi i popullsisë në këtë qark është fiktiv.

Por kreu i demokratëve në Kuvend, Astrit Patozi tha se ndarja e mandateve është atribut i një tjetër institucioni dhe Kuvendi nuk mund të marrë atributet e tij. Patozi tha se kërkesa e PS-së është formuluar qëllimisht në pamundësi për t’u miratuar në Kuvend.

Ruçi u kundërpërgjigj duke thënë se në të njëjtën mënyrë, por me forcën e kartonit, mazhoranca miratoi ngritjen e një komisioni hetimor të ngjashëm, atë për ngjarjet e 21 Janarit, ku katër protestues të opozitës humbën jetën.

Mazhoranca në kuvend rrëzoi të gjitha propozimet e opozitës për paketën fiskale. Partia Socialiste propozoi në parlament një sërë ndryshimesh, të cilat kishin në themel kryesisht sektorin e bujqësisë.

Propozimi i parë ishte ai, që qeveria të heqë akcizën për naftën që përdoret në bujqësi. Por ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se propozimi i opozitës çon në një skemë të dështuar.

Veç heqjes së akcizës, deputetët socialistë propozuan edhe disa masa të tjera, për të ulur kostot e fermerëve, që gjithashtu nuk u pranuan nga mazhoranca, e cila tha se ka zgjedhur t’i ndihmojë fermerët jo përmes taksave, por me transferta direkte.

Në parlament, opozita kishte hartuar edhe një draft, që rikthen taksën progresive, i cili sipas deputetëve të saj lehtëson barrën fiskale për mbi 95 për qind të të punësuarve në administratë dhe sektorin privat, duke u falur atyre 63 milionë dollarë në vit.

Mazhoranca nuk pranoi asnjë nga ndryshimet e propozuara nga socialistët, duke e kaluar paketën fiskale sipas variantit fillestar, të propozuar nga qeveria. Heqja e TVSH-së së ilaçeve, një tjetër propozim i socialistëve, nuk u mor parasysh duke u rrëzuar në parlament nga mazhoranca.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB