Sot 10 vjet Fiks Fare

19/12/2012 00:00

Më 19 dhjetor të vitit 2002, apo për të qenë në linjë me titullin e emisionit, Fiks Fare 10 vjet më parë nisi transmetimet programi investigues dhe satirik që tashmë është kthyer në një institucion për popullin nëpërmjet denoncimeve të padrejtësive dhe zgjidhjeve të një sërë problematikave.

Mbi mbarëvajtjen e këtij programi të suksesshëm që mban ngërthyer publikun cdo natë prej 10 vjetësh, flet drejtori i tij Filip Çakuli.

Filip Çakuli, Drejtor i “Fiks Fare”: 10 vjet në jetën e një njeriu ndoshta është shumë, por në jetën e një emisioni është pak. Flas për veten tonë sepse tek ne rrallë kanë rezistuar emisione të përditëshme kaq gjatë sepse ne u jemi drejtuar gjithmonë njerëzve të thjeshtë, nëpërmjet postës elektronike, takimeve që vijnë këtu. Këtu mesatarisht vijnë 10 veta ne kemi posaçërisht një gazetar që pret njerëzit që sjellin informacionet, sjellin hallet e tyre, ndoshta hallet e tyre janë më të rëndomta më të zakonshme, por ne prap i ndjekim. Mund të ndodhë që të ketë “më ka humbur gruaja. Më gjeni gruan”. Ne prap i ndjekim dhe në mos i gjetshim gruan e tij për ta qetësuar atë i gjejmë një grua tjetër, ne gjithmonë e zgjidhim problemin në formën tonë. Kanë edhe halle që i drejtohen Fiksit që është krijuar një përshtypje që Fiksi është një institucion, madje nga kërkojnë edhe llogari dhe nuk është vetëm përshtypja e tyre, e ka thënë Rexhep Qosja, e kanë thënë edhe të tjerë. Po të shohësh letrat e tyre thonë: drejtuar kryeministrit Sali Berisha, drejtuar Ambasadorit Amerikan, për dijeni Fiks Fare.

Por cilat janë elementët që e kanë kthyer këtë emision në institucion për popullin dhe të suksesshëm e të dashur për të?

Filip Çakuli: Një nga sukseset e Fiksit dhe një nga arritjet është çifti i mrekullueshëm i Sajmirit dhe Doktorit që janë për mua të papërsëritshëm si çift dhe që nuk kam dëgjuar dikë që të thotë: ‘na janë mërzitur ata dy’. Tjetra është se jemi në një ekran që na nderon dhe ky është një sukses prap, se këtë emision nuk mund ta bësh në asnjë televizion tjetër. Të ketë luksin, këtë gatishmëri që kanë, këtë mbështetje që ka këtu. E treta, stafi, gazetarët, operatorët, montazhierët, monitoruesit e deri tek shoferi i thjeshtë që sakrifikojnë shumë për këtë mision. Nisen mes shiut e dëborës, përplasen me zyrtarë, me dyert e mbyllura të institucioneve. Një meritë e Fiksit se i ka rritur këta gazetarë këto 10 vjet. Vec gazetarëve kam edhe një ndihmëse shumë të mirë që quhet Denisa Haxhiaj. Të them të drejtën dy gra kanë hyrë fuqishëm në jetën time, gruaja në shtëpi dhe Denisa në punë. Pa Denisën nuk do ishte ky Fiks që është.

Përpos rubrikave të shumta, një pikë e fortë e Fiks Fare janë investigimet, që zbuluan mes të tjerash skandalin e trafikimit të fëmijëve në 2006 apo abuzimin seksual të ish-ministrit Pango.

Filip Çakulli: Ne kemi një sektor të kamerave të fshehta që merret kryesisht me investigimin, natyrisht me investigimin e drejtuar nga ana jonë për çdo rast, por gjithmonë nëpërmjet një informacioni të zakonshëm që vjen. Është edhe letërkëmbimi që vjen anonim nga shumë qytetarë. “Ju lutem ju e dini që më heqin nga puna”. Nëpërmjet këtyre unë e kuptoj që këtu ekziston një frikë e madhe të flasësh kundër qeverisë. Natyrisht, kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike e ka treguar me vepra që është kundër këtyre që flasin, sepse cdo njeri që ka folur kundër në partinë e tij i ka hequr. Përmenda këtë sepse jemi kundër një shteti të tërë në investigimet tona. Detyrohet ndonjëherë shteti të marrë masa, dmth pasi Fiksi e kopsit mirë një gjë, shteti është detyruar të marrë masa. Asnjëherë ne nuk kemi tentuar t’u japim para zyrtarëve të korruptuar, pas një kërkese të tyre ne ndërtojmë kamerat. Ne nuk përgjojmë njeri, ne thjesht regjistrojmë. Ka një dallim të madh mes përgjimit dhe regjistrimit, përgjimi është cështje e prokurorisë. Në cdo fazë të investigimit është i pranishëm gazetari që regjistron. Pse të duket çudi që gazetari nuk regjistron në bllok, por në një magnetofon, le që sot kanë të gjithë celularë që regjistrojnë. Ne përdorim mjetet e një gazetari ndaj të gjitha temat që kemi bërë ne, asnjëra, me përjashtim të Pangos, që vazhdon gjyqi akoma, një budallallik i gjyqtarit Bendo, por ne kemi investiguar edhe gjyqtarët, së afërmi ke edhe për gjyqtarët se ç’bëjnë me këto vendime gjykate, shumë shpejt do të dalin, por dua të them që ne nuk kemi patur probleme as gjyqësore me njeri.  

Por lënda e parë e trajtimit të problematikave, sipas zotit Çakuli vjen nga politika shqiptare.

Filip Çakuli: Ndoshta është edhe që ne kemi fatin e politikanëve dhe qeveritarëve që na japin përditë materiale, sepse po të kesh një kryeministër që flet tërë kohën, që tregon përralla për këdo dhe kur vjen puna e projekt-ligjeve thotë këto i gjeni në faqen zyrtare të Kryeministrisë, pasi shan përditë në cdo mbledhje qeverie kryetarin e opozitës, jo vetëm që e shan, por nuk shohim të kritikojë ndonjë ministër për punën e tij, ne të Fiksit jemi të lehtësuar shumë në punën tonë profesionale, sepse gafat e përditëshme të qeverisë nuk kanë shumë punë për t’u përpunuar. Pra materiali vjen nga politika përditë.

“Fiks Fare” është përmendur për kontributin e tij mes të tjerësh në një raport të OSBE-së, ku për gjendjen e sistemit të drejtësisë i është referuar denoncimeve të këtij emisioni. Ka qenë referencë për procedime penale të një sërë zyrtarësh të lartë të korruptuar.

Ideatori i këtij programi është themeluesi i Top Medias, Z. Dritan Hoxha

Filip Çakulli:
Nëse do të flasim për Fiksin, do të kujtojmë gjithmonë themeluesin e Top Medias dhe ideatorin e këtij emisioni. Ka qenë shumë kërkues dhe shumë i interesuar që ky emision të ecte dhe të kishte një sukses në publik. Besoj ne ia kemi arritur kësaj, shoh nga reagimet e njerëzve që na shohin, kemi arritur dhe akoma kërkojmë, por unë akoma kam merak se mos ai prap më kontrollon nga andej nga është dhe më thotë: ndricimi këtu s’është mirë, një robot nuk po punon, gjëra teknike që unë akoma edhe sot nuk i marr vesh. Ai këmbëngulte që emisioni të ishte i përsosur nga të gjitha gjërat. Kështu ka mbetur edhe sot Fiksi në Top Channel, në suazën e gjithë emisioneve të tjera, ka mbetur një i përkëdhelur, në kuptimin e mirë të fjalës, e gjithë stafit drejtues të Topit, Bordit dhe Presidentes që kemi.

10 vjet Fiks Fare mes humorit shpotitës, investigimeve e denoncimeve, gjithmonë  pranë njerëzve dhe problemeve që nuk gjejnë zgjidhje, me dyer të hapura, aty ku ato zyrtare mbyllen.

Filip Çakuli: Publiku, qytetarët do të shohin ato që kërkojnë nga Fiksi, ato që dëshirojnë më shumë, ato që dëshirojnë nga një emision investigative sic është Fiks Fare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB