Kryetari i PS, Edi Rama është takuar pasditen e së mërkurës me ish-ushtarakët, me të cilët ka trajtuar problematikën që prek këtë kategori.

Në fjalën e tij, Rama ka kritikuar institucionet shtetërore se nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur ish-ushtarakëve dhe ka ftuar të pranishmit që në zgjedhjet e ardhshme të bëjnë ndryshimin.

“Shqetësimet tuaja adresohen duke ndryshuar qeverisjen. Të fitojmë zgjedhjet për të mbyllur kapitullin e rrënimit”, ka deklaruar Rama.

Shefi i opozitës vuri gjithashtu në dukje se, humbja e sigurisë në vend është pasojë e një politike të verbër me institucionet e rendit publik.

Edhe kryetari i grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, i pranishëm në takimin e pasdites, ka ftuar gjithashtu ish-ushtarakët që të votojnë për një Shqipëri më të mirë.

“Aktualisht Shqipëria ndodhet në kufijtë e ekzistencës. Kemi në dorë të marrim pushtetin me votë. Të trokasim derë më derë për të rritur besimin”, ka thënë Ruçi.

Prej kohësh kryetari i PS ka nisur një seri takimesh me shtresat e mesme, tregtarët e vegjël dhe fermerët, për të diskutuar mbi problemet ekonomike që prekin ata.

Duke iu referuar situatës financiare, një ditë më parë Rama kritikoi ashpër qeverinë për korrupsionin dhe për borxhin e lartë, që sipas tij kanë mbërthyer Shqipërinë.

“Ky borxh i kushton një familjeje sot 800 mijë lekë në vit për shpenzimet e borxhit. Ky borxh është një gropë e madhe ku Shqipëria rrezikon të bjerë dhe të ndodhet në një situatë që sot ne nuk e parashohim dot”, tha Rama.

Shefi i opozitës shqiptare u shpreh gjithashtu se, vendi sot  po shkon në drejtim të gabuar duke njohur regres, pasi sipas tij, tashmë është botërisht më i korruptuari, më i papuni dhe më i pashpresë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA