“Paratë e grantit i kalojnë CEZ-it”

19/12/2012 00:00

Në tetor Parlamenti miratoi një akt normativ, përmes të cilit qeveria i hoqi pushtetit vendor 1.3 miliardë lekë grante për ta detyruar atë të paguajë borxhet ndaj CEZ. Me gjithë kundërshtimin e fortë që shkaktoi kjo masë, qeveria tha se bashkitë dhe komunat e kanë detyrim ligjor të shlyejnë faturat e energjisë për ujësjellësat.

Për shkak se edhe CEZ kishte borxhe ndaj KESH, qeveria premtoi se në finale paratë që po i merreshin pushtetit vendor do të përfundonin në llogaritë e KESH, përmes një skeme të paracaktuar, ku fondet do të derdheshin fillimisht në llogaritë e CEZ në një nga bankat ku KESH mund të kërkonte bllokimin e tyre.

Por jo gjithcka shkoi sipas memos së shpërndarë nga Ministria e Financave ku në përfundim të gjithë kësaj, paratë do të arkëtoheshin nga KESH. Top Channel, dy ditë më parë publikoi të dhënat se në arkat e KESH nuk ka përfunduar asnjë qindarkë.

Top Channel publikoi gjithashtu kontratat që kompania CEZ ka lidhur me disa kompani private për mbledhjen e borxhit. Dokumentat tregojnë se për çdo borxh që CEZ arkëton nga buxhetorët dhe jobuxhetorët, ku përfshihen edhe ujësjellësat, këto kompani përfitojnë 28 deri në 50 për qind të shumës.

Përballë kësaj skeme, Ministria e Financave fajëson përmbarimin që sipas saj nuk ka ndërhyrë për llogari të KESH-it për të bllokuar paratë e përftuara nga CEZ nëpërmjet vendimit të tetorit të qeverisë.

“Paratë sipas urdhërit ekzekutiv paguheshin ku ishin lëshuar faturat dhe faturat ishin lëshuar nga CEZ-i, ndërkohë KESH nga ana e tij, faturën ndaj CEZ-it e ka titull ekzekutiv të cilit nëpërmjet përmbarimit duhet ta ushtronte në llogaritë e CEZ-it. Pra nuk i përcakton Ministria e Financave, janë rregulla të tregut, nuk mund të thotë shteti që paratë e CEZ-it i transferohen KESH-it. Paratë vajtën tek CEZ-i dhe vazhdojnë të shkojnë tek CEZ-i, por përmbarimi duhet të ushtrojë detyrën e vet dhe t’ia kalojë KESH-it”, deklaroi para Komisionit të Ekonomisë Mimoza Dhëmbi, Drejtoreshë e Buxhetit në Ministrinë e Financave.

Top Channel