Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu ka promovuar në mjediset e Muzeut Kombëtar vëllimin e dytë dhe të fundit të trilogjisë së tij “Kujtime”.
Në 17 kapituj flitet për disa nga momentet më kulmore në jetën e vendit, të përjetuara nga zoti Moisiu, si dhe histori nga jeta në forcat e armatosura, ku autori ka shërbyer për 40 vjet me radhë.
Ish-kreu i shtetit është shprehur se është përpjekur të pasqyrojë me realizëm dhe jo me mllef ngjarjet e kohës.
“Unë jam munduar t’i shmangem disa gjërave, por jam përpjekur të lë diçka që u duhet njerëzve dhe historianëve, që për fat të keq janë të ndikuar politikisht. Ata ende nuk e kanë thënë realitetin ashtu siç e kërkon historia”, u shpreh Moisiu.
Ky botim vjen pas vëllimit të tretë ku ish-presidenti ka ndarë me lexuesin kujtimet e tij të kohës kur ka qeverisur vendin.
Këte radhë Moisiu ka pasqyruar ngjarje të ndodhura që prej kohës kur ai filloi shërbimin në forcat e armatosura në vitin 1958, pas mbarimit të studimeve në Moskë e deri në shkarkimin e tij nga detyra në vitet ‘80, pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut, kur shumë figura të ushtrisë u penalizuan.
Gjithashtu, autori rrëfen për detyrën e tij si ministër i Mbrojtjes gjatë kohës së qeverisë teknike në vitet 1991-92, zhvillimet demokratike dhe kohën në pension.
Top Channel