Qeveria ka miratuar të mërkurën projekt/ligjin për liçencën e Lotarisë Kombëtare. Fituese e tenderit për liçencën u shpall më herët gjatë vitit kompania shtetërore austriake e lotarive.
Liçenca për Lotarinë Kombëtare do jepet për një afat 10-vjecar, duke bërë që “Austrian Lottery” të ketë monopolin e lojrave të fatit për të paktën një dekadë, në këmbim të një çmimi simbolik prej 3.5 milionë eurosh.
Tenderi për dhënien e liçencës u shoqërua me një seri akuzash që opozita i bëri qeverisë për manipulimin e tij, me qëllim përfitimin.
Vetë kryetari i opozitës, Edi Rama i shkroi një letër kryeministrit austriak për këtë çështje, por nga Vjena zyrtare nuk pati asnjë reagim.
Tenderi i shumëpërfolur vuri në lëvizje dhe Avokatin e Popullit, i cili përmes një shkresë zyrtare iu drejtua Ministrisë së Financave duke i kërkuar që të informonte kompanitë e skualifikuara nga gara për proçedurat që ishin ndjekur në përzgjedhjen e konsulentëve.
Kërkesa e Avokatit të Popullit erdhi pas ankesës që ky institucion kishte marrë nga kompania e skualifikuar greke “Intralot”.
Kjo e fundit i ishte drejtuar më datën 13 korrik Ministrisë së Financave për informacion mbi përzgjedhjen e konsulentëve, por pasi dikasteri i financave kishte refuzuar të përgjigjej, i ishte drejtuar zyrës së Ombudsmanit.
Top Channel