
Futbolli shqiptar mbyll vitin 2012-të me ndeshjet e treta çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Bylisi dhe Skënderbeu kanë bërë hapin e madh, atë të kualifikimit, duke qenë të vetmet me 9 pikë të plota deri më tani, ndërsa Teuta dhe Shkumbini mbyllin aventurën e tyre në këtë aktivitet pas 3 ndeshjesh.
Pasi i kishin fituar dy çerekfinalet e para, korçarët dhe ballshiotët, kryesues të grupeve të tyre respektive, gjendeshin përballë rivalësh të fortë, por rezultati përfundimtar ishte i njëjtë për të dyja ekipet të cilat ia dolën mbanë. Fitore e kuqebardhëve në Krujë 1-2 në transfertë dhe goleadë e mallakastriotëve ndaj “Djemve të detit” 5-0.
Konfirmon kthesën nën drejtimin e trajnerit Ernest Gjoka skuadra e Flamurtarit, duke duke mundur edhe kurbinasit e Stavri Nicës, skuadër që pozicionohet e dyta në grupin e saj tashmë, në ndjekje të ballshiotëve.
Vuan shumë Kukësi i Cungut në shtëpi, ku mezi siguron një fitore “in extremis”, fillimisht nga pika e bardhë e penalltisë e pastaj nga një aksion, duke ndalur shifrat përfundimtare të kësaj ndeshjeje në 2-0.
6 pikët në llogarinë e veri-lindorëve, debutues në Superiore, u mundësojnë atyre vendin e dytë në Grupin A, duke parakaluar krutanët.
Top Channel