PAJTIM BELLO – Duket se kriza energjetike po arrin kulmet e veta. Kriza
shkon përtej pasqyrimit të ndërprerjeve të energjisë elektrike, është
komplekse, ka rrënjë të thella politike, juridike dhe institucionale
Kriza energjetike i ngjan barit të keq, që i shtrin rrënjët në thellësi dhe gjerësi të tokës, duke i shkaktuar asaj shterpësinë. Kriza në tregun e energjisë elektrike është transformuar në cilësi jetese për qytetarët, në vazhdimësi të procesit të punës për bizneset dhe është shoqëruar me një krizë financiare brenda sistemit të vet, krizë kjo që tashmë ka shkarkuar mbi financat e buxhetit të shtetit.
Kjo bën që reflektimet e autoriteteve shtetërore të jenë qesharake, të papërgjegjshme, jashtë çdo sfondi institucional, pa dhënë rrugëdalje nga spiralja e krizës energjetike. Ansambli i institucioneve qeveritare ngjan me një mozaik të përçudnuar “engjëjsh”, të cilët hedhin një valle djallëzore. Kjo valle synon të çorientojë, të lodhë e të mashtrojë shqiptarët, duke fshehur përgjegjësinë për atë çfarë po ndodh në tregun strategjik të energjisë elektrike. E pabesueshme, por duket se institucionet qeveritare ngjajnë me hajdutët që bërtasin: “Kapeni hajdutin!…”. Prej muajsh, por veçanërisht ditët e fundit, kemi parë se Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE), Ministria e Financave (MF), Enti Rregullator i Energjisë Elektrike(ERE) të vendosur në garë, duke bërtitur akuzojnë “CEZ Shpërndarje” mbi situatën e krijuar në tregun e energjisë elektrike. Britma e tyre bëhet nga foltoret e atyre institucioneve shtetërore e qeveritare, që janë përgjegjësit kryesorë mbi këtë katrahurë që përjeton tregu i energjisë elektrike.
Qeveria, Kryeministri, ministrat dhe titullarët e institucioneve të sipërpërmendura po vënë gishtin mbi “CEZ Shpërndarjen” dhe sillen sikur Ata vetë kanë zbarkuar me parashutë në territorin e Shqipërisë. Si të përvëluar, nga zjarrmia që iu shkakton vuajtja e qytetarëve konsumatorë të energjisë elektrike, shtyjnë njëri-tjetrin të deklarohen se qeveria ka situatën nën kontroll dhe do të ndëshkojë fajtorët!… Por cilët janë këta fajtorë, kur dhe si janë shfaqur fajtorët në këtë skenë të shëmtuar? Qytetarëve u duhet folur shkoqur, pa doreza dhe këtë duhet ta bëjnë pikërisht këto institucione, që mundohen t’i shmangen përgjegjësisë ndaj qytetarëve. Po institucionet qeveritare kanë zgjedhur të mashtrojnë shqiptarët dhe sa të munden të lajnë fytyrën e tyre të nxirë prej marrëzive që kanë bërë po vetë ato institucione.
Pikërisht Qeveria, METE, MF dhe ERE janë fajtorët kryesorë për këtë traumë të sektorit të energjisë elektrike. Gjithçka zë fill dhe buron prej politikave të gabuara të qeverisë “Berisha” për tregun e energjisë elektrike. Mbi të gjitha spikat dështimi i politikës të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) siç ishim mësuar ta thërrisnim atë para katër vitesh. Privatizimi nisur nga motive politike dhe si kërkesë e tregut të energjisë elektrike, privatizimi i bërë jashtë kërkesave e standardeve profesionale janë zanafilla e mbrujtjes dhe mahisjes të një situate të tillë. Në kalimin e krizës nga një krizë për burime të ofertës vendase, të fenomeneve të vjedhjes të energjisë elektrike dhe mospagesës së energjisë elektrike të konsumuar në krizë financiare të tregut të energjisë kanë “kontribuar” politikat aventureske të qeverisë në marrëdhëniet mes operatorëve në tregun e energjisë elektrike. Pa dyshim se një krizë financiare, e rëndë dhe e gjatë në tregun e energjisë elektrike, një ditë do të shkarkonte mbi buxhetin e shtetit. Qeveria me kokëfortësi e shtyu këtë krizë nga viti në vit, deri sa kriza u mbars dhe tashmë ka pjellë një rrezik serioz për financat e drobitura të shtetit. Por nuk është vetëm kaq. Kjo histori ngjan shumë “gazmore” kur METE akuzon “CEZ Shpërndarje” dhe “harron” t’u thotë shqiptarëve se METE është bashkëpronare e kësaj shoqërie tregtare. Pra ortaku nxiton të nxijë ortakun, duke manifestuar pabesi ndaj ortakut dhe pafytyrësi ndaj shqiptarëve. Kur e bënë ortakërinë, ministrat çanë ekranet e televizioneve për këtë zgjidhje historike në tregun e energjisë elektrike, zgjidhje që do të sillte një përmbysje në sensin pozitiv në tregun e energjisë elektrike. Tashmë kur përmbysja erdhi në sensin negativ, janë po këta ministra, të cilët mundohen të lajnë duart dhe fytyrën e tyre nga balta e dështimit. E gjithë kjo bëhet sepse qeveria përpiqet t’i ikë përgjegjësisë politike dhe ligjore. Por jo vetëm kaq. Kjo bëhet sepse viti 2013 është vit elektoral dhe qeverisë i duhet të bëjë heroin në sytë e qytetarëve. Po harrojnë se në dredhitë që ata bëjnë, në këto momente të kësaj krize të rëndë të tregut të energjisë elektrike, ngjanë si përpjekjet e një fëmije të keq për të fshehur fajin e vet. Gjithçka është lehtësisht e lexueshme. Qeveria ka dalë lakuriq para shqiptarëve, asgjë nuk mund të fshehë dështimin e saj dhe përmasat e këtij dështimi të madh, efektet e të cilit do t’i ndiejmë për vite e vite me radhë. Nga çdo kënd vështrimi, përpjekjet e qeverisë për t’u shfajësuar rëndojnë po vetë atë. Çdo ditë e më shumë në këtë betejë, qeveria lufton kundër qeverisë. Kjo duket qartë dhe shqiptarët e kanë kuptuar lojën e dyfishtë që përpiqet të luajë qeveria.
Top Channel