Korea e Jugut, presidentja e parë femër

19/12/2012 16:25

Koreanojugorët zgjodhën presidenten e parë femër në historinë e vendit, treguan rezultatet përfundimtare të votimeve të mbajtura ditën e mërkurë.

Park Geun-hye, e bija e ish-diktatorit Park Chung-hee, mposhti rivalin e saj Moon Jae-in, me një platformë zgjedhore të përqendruar tërësisht tek ekonomia.

Ndonëse një pjesë e votave janë ende duke u numëruar, Moon pranoi humbjen dhe i uroi suksese presidentes së re.

Park do të zëvendësojë në krye të shtetit kolegun e saj partiak, Lee Myung-bak, i cili detyrohet të largohet nga pushteti pasi kushtetuta e vendit nuk lejon kryerjen e dy mandateve radhazi.

Lufta politike në këtë fushatë zgjedhore u përqendrua tek rritja ekonomike, shpenzimet ushtarake dhe Korea e Veriut.

Megjithatë, sipas ekspertëve, për herë të parë pas shumë dekadash, duket se ekonomia u shndërrua në çështjen më të rëndësishme për shumicën e koreanojugorëve.

Një vend me përmasa të ngjashme me Bullgarinë dhe një popullsi prej 50 milionë banorësh, Korea e Jugut ka ekonominë e 12-të më të madhe në botë dhe një prej standarterve më të larta të jetesës mes vendeve të industrializuara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA