Bayern Munchen arriti të kalonte në çerekfinalet e Kupës së Gjermanisë pasi mundi Augsburgun në transfertë me rezultatin 0-2.
Bavarezët kaluan në avantazh në minutën e 26 të pjesës së parë me anë të Mario Gomez, i cili përfitoi nga një pasim i Ribery. Në pjesën e parë pati edhe një rast goli-fantazmë me autor Tymoshtschuk, por topi që kishte kaluar vijën fatale nuk u pa nga gjyqtari.
Në fillim të pjesës së dytë, Ribery u ndëshkua me karton të kuq pasi iu përgjigj një provokimi duke goditur në fytyrë një kundërshtar. Më pas, arbitri nuk akordoi një 11-metërsh për Augsburgun pasi Dante preku topin me dorë në zonë.
Me kalimin e minutave ndeshja u qetësua derisa Xherdan Shaqiri shënoi golin e dytë për Bayern kur kishin mbetur edhe 5 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt.
Në ndeshjet e tjera të 1/8 të finaleve të Kupës së Gjermanisë, Schalke 04 u eliminua nga Mainz që fitoi 1-2 në transfertë. Freiburg fitoi 1-0 në fushën e Karslruhes dhe Kickers Offenbach (kategoria e tretë) habiti të gjithë me fitoren 2-0 ndaj Fortuna Dusseldorf.
Top Channel