1,3 miliardë dollarë dolën nga Shqipëria

19/12/2012 23:20

Global Financial Integrity, një grup avokat i anti-korrupsionit me seli në Washington, thotë se elita e korruptuar e vendit nxorri 1,3 miliardë nga Shqipëria, në periudhën e viteve 2005-2010.

Shuma, e barazvlefshme me një të tretën e buxhetit vjetor të Shqipërisë, është nxjerrë në mënyrë të paligjshme jashtë kufijve, përgjatë një periudhe 5-vjeçare përmes një ndërthurjeje korrupsioni, evazioni fiskal e aktiviteteve të tjera joligjore.

Zëdhënësi i grupit, Clark Gascoigne, tha për Balkan Insight se beson që shumica e këtyre parave, apo 60% e tyre, vinin nga evazioni fiskal, 35% nga akvititeti kriminal dhe 5% nga korrupsioni.

GIF përdor, për raportet e tij, të dhëna të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar. Grupi pretendon se vetëm në 2008-n, jashtë Shqipërisë janë transferuar në mënyrë të paligjshme 405 milionë dollarë, ndërsa flet për një mesatare vjetore prej 131 milionë dollarë, që është nxjerrë nga vendi nëpër parajsa taksash off-shore.

Kjo, një shumë gjigande parash për t’u humbur nga një shtet si Shqipëria, thekson Gascoigne. Nëse këto parà do të kishin qëndruar brenda vendit, atëherë do të mund të përdoreshin në infrastrukturë, arsim dhe për të nxjerrë njerëzit nga varfëria.

Përpos të tjerash, një rrjedhje e tillë ushqen ekonominë informale, krimin e korrupsionin, dhe thekson akoma më shumë pabarazinë e të ardhurave, duke i bërë të pasurit akoma më të pasur, e të varfrit akoma më të varfër, shton ai.

Indeksi i korrupsionit i Transparency International, për vitin 2012, tregoi se Shqipëria ishte një prej vendeve me nivelin më të lartë të korrupsionit në Europë.

Rama: Shqiptarët zhyten çdo ditë në borxh

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i është referuar raportit të ”Global Financial Integrity” në të cilin theksohet se më shumë se 1.3 mld dollarë janë transferuar në mënyrë të paligjshme jashtë Shqipërisë gjatë viteve 2005-2010.

Përmes një konference për shtyp ditën e sotme, Rama theksoi se këto para të arratisura nga vendin ynë janë paratë e shqiptarëve, borxhi në kurriz të të cilëve rritet çdo ditë për shkak të korrupsionit qeveritar.

“Ja pse rrënohen shqiptarët ndër të tjera. Ja ku ikin dhe lekët e borxheve që Saliu i merr për shqiptarët dhe borxhi sa vjen e rritet në kurriz të shqiptarëve. Ja çfarë fituan njerëzit e zakonshëm nga duart e pastra të Saliut”, tha Rama.

Kreu i PS më tej theksoi se këto shifra alarmante janë dëshmi e qartë e raportit të pak ditëve më parë lidhur me perceptimin e korrupsionit, ku Shqipëria paraqitet si një nga vendet më të korruptuara në Europë, çka sipas Ramës është një nga arsyet pse Shqipëria po lihet jashtë dyerve të BE.

Vetëm me këtë qeveri në opozitë dhe me PS në qeveri, theksoi Rama, mund të arrihet ndryshimi i madh.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA