Rusia ka dërguar pesë anije të reja luftarake në Mesdhe, në afërsi të bregut sirian, për të zëvendësuar ato të Flotës së Detit të Zi që ndodhen në rajon që prej nëntorit.
Lajmin e ka bërë të ditur të martën një zëdhënës i zyrës së shtypit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes. Ndërkohë që Moska, sipas mediave ruse, po bëhet gati për një evakuim të qytetarëve të saj nga Siria.
Anijet, që janë pjesë e Flotës Ruse të Balltikut, janë nisur ditën e hënë nga Kaliningradi për një “mision afatgjatë” dhe një “seri stërvitjesh”, kanë njoftuar burimet.
Ministria nuk saktëson nëse anijet do të ankorohen në Tartus, port sirian në veri të Damaskut ku Rusia, një nga aleatët e fundit të Assad, që nga epoka sovietike ka një bazë detare për asistencë teknike dhe furnizim me anije ushtarake e civile.
Por një burim anonim i pyetur nga agjencia “Interfax” në Kaliningrad deklaron se flota është vendosur në Mesdhe për të marrë pjesë në një evakuim të mundshëm të qytetarëve rusë, duke parë ecurinë e situatës në Siri.
Javën e kaluar ministri i Jashtëm rus kishte njoftuar se kishte elaboruar një plan aksioni për evakuimin e qytetarëve rusë nga Siria në rast nevoje.
Aktualisht në Siri ndodhen rreth 5 mijë rusë, sipas të dhënave zyrtare, por shifra arrin në 25-30 mijë nëse llogaritet numri i madh i martesave mes rusëve dhe sirianëve dhe fëmmijët e tyre.
Top Channel