Dy shtetas rusë dhe një italian u rrëmbyen ditën e martë në qytetin sirian të Tartusit, lajmëroi Ministria e Jashtme Ruse.
Rrëmbyesit mësohet se pretendojnë një shpërblim nga punëdhënësi i tre punëtorëve, për t’i lënë të lirë.
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, deklaroi se Moska është “duke marrë të gjithë hapat e nevojshmë, së bashku me autoritetet siriane, për të rikthyer të lirë dhe të sigurt të gjithë personat e rrëmbyer”.
Lajmi për rrëmbimin e rusëve dhe italianit vjen në një ditë të suksesshme për rebelët, që pushtuan qytetin qëndror të Halfajës dhe një bazë në jug të Derës, duke shtënë në dorë edhe disa tanke.
Ndërkohë, korrespondenti i “BBC”-së në vend lajmëroi se luftimet vazhdojnë të ashpra edhe në kryeqytetin Damask, me dhjetëra të vdekur çdo ditë.
Sipas tij, mbi 100 të plagosur shtrohen çdo ditë në spitalin qëndror të qytetit për shkak të plagëve të marra nga armët e zjarrit, ndërsa jo të gjithë prej tyre trajtohen, për shkak të mungesës së personelit, gjakut dhe narkozës.
Si rrjedhojë e luftimeve, që prej marsit 2011, mbi 40 mijë sirianë janë vrarë, dhjetëra mijëra figurojnë të zhdukur dhe të paktën 2,5 milionë banorë janë zhvendosur nga banesat e tyre, në destinacione më të sigurta brenda apo jashtë vendit.
Top Channel