
Milani shpreson të shfrytëzojë krisjen e madhe mes Mario Balotelli-t dhe drejtuesve të Manchester City-t për të siguruar me “cmimin nën treg” shërbimet e sulmuesit.
Balotelli dhe City do të përballen të mërkurën në seancën e parë gjyqësore pas padisë së ngritur nga futbollisti lidhur me gjobën prej 400 mijë eurosh të vendosur nga klubi kundër tij për sjellje të pahijshme në fushë.
Trajneri Mancini shpreson tek qendrimi i tij tek Citizens, megjithëse aktualisht lojtari është shndërruar në zgjedhje të katërt për sulmin dhe kjo jo për cilësitë, por për mungesën e disiplinës.
Sipas mediave britanike, Milani pritet të prezantohet me një ofertë larg pritshmërive të City-t prej 30 milion eurosh në muajin janar, por skuadra e sheikëve mund të vihet në përballë dy zgjedhjeve, të vazhdojë të mbajë sulmuesin me pagën stratosferike, apo të shesë atë kundrejt një cmimi të arsyeshëm në këtë kohë krize dhe të kursejë me shumë nga heqja qafe e barrës prej 210 mijë eurosh në javë?
The Sun shkruan se me shumë gjasa, kjo e dyta do të preferohet nga drejtuesit e klubit që nuk kanë më nerva për të duruar kapriçot e sulmuesit italian. Në gjurmët e tij përflitet se është vënë edhe Interi, megjithatë edhe oferta e zikaltërve pritet të jetë larg pritshmërive.
Lidhur me Balotelli-n shqetësim ka shprehur edhe tekniku i kombëtares italiane, Cesare Prandelli. Trajneri i axurrëve paralajmëroi sulmuesin se po rrezikon shumë karrierën futbollistike me sjelljen e tij.
Top Channel