
Partia Demokratike do të rrëzojë nismën e opozitës për ngritjen e
komisionit hetimor për Qarkun e Kukësit. Në Konferencën e Kryetarëve të
grupeve parlamentare është diskutuar mbi kërkesën e opozitës për kohën e
shqyrtimit të saj.
Në mbledhjen e se henes të zhvilluar me dyer të mbyllura mësohet se ka pasur replika mes kreut të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, demokratit Ilir Rusmali. Përfaqësuesi i mazhorancës e ka cilësuar si jo të rregullt nismën e opozitës, të pabazuar në ligje.
Sipas burimeve mësohet se Ruçi ka kundërshtuar qëndrimin e mbajtur nga Rusmali, duke i kërkuar atij që të mos mbajë pozicione pro apo kundër nismës së opozitës, pasi një gjë të tillë ta shprehë në seancën e Parlamentit, kur nisma e opozitës të votohet. Ruçi i ka mëshuar faktit se nismat për komisionet hetimore futen për shqyrtim në mënyrë automatike dhe se është seanca plenare ajo që vendos për ta pranuar ose jo.
Pas këtyre përplasjeve mësohet se është vendosur që në seancën e së enjtes Kuvendi ta votojë këtë nismë. Partia Socialiste dorëzoi më 12 dhjetor në Kuvend kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor për verifikimin e shtimit të numrit të banorëve në Qarkun e Kukësit. Kërkesa e firmosur nga 35 deputetët socialistë, ka si objekt “ngritjen e një komisioni hetimor të Kuvendit për hetimin e veprimtarisë së organeve shtetërore mbi lëvizjen e popullsisë në disa njësi vendore të Qarkut Kukës gjatë periudhës qershor–nëntor 2012”.
Më herët, Partia Socialiste është shprehur se shifrat e paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile për disa nga komunat e Qarkut të Kukësit janë të dyshimta, pasi vetëm gjatë muajve korrik-nëntor ka një shtim të popullsisë në një masë disa dhjetëra herë më të lartë se mesatarja kombëtare. Sipas PS-së, janë 682 banorë që u janë shtuar disa prej komunave më të varfra të vendit, si ato Topojan, Kolsh, Fierzë, Shishtavec e Tropojë, me një ritëm edhe më të lartë se sa shtesat që janë bërë dhe në njësitë bashkiake në qendër të Tiranës apo dhe në Qarkun e Durrësit.
“Duke krahasuar shifrat zyrtare përkatëse të të dhënave zyrtare të fundit të muajit qershor 2012 dhe ato të fillimit të muajit nëntor 2012, lehtësisht vihet re se rritja e popullsisë për të 12 qarqet e vendit për periudhën fund qershori – fillim nëntori 2012 është 0.39%. Ndërkohë që rritja për të njëjtën periudhe për Qarkun e Kukësit është 0.63%, më e madhja mes të gjitha qarqeve pas Tiranës, me 0.75% dhe përpara Qarkut të Durrësit, që vjen i treti, me 0.51%”, thuhet në kërkesën e PS. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri, për këtë nismë deklaroi disa ditë më parë se “duke u nisur nga kokëfortësia e Ministrisë së Brendshme për të mos bërë transparente çështjen, ne shohim si mundësi të vetme ngritjen e një komisioni hetimor. Duhet të hidhet dritë mbi një çështje shumë të rëndësishme”. Përplasjet për numrin e popullsisë në Qarkun e Kukësit kanë bërë që KQZ-ja të mos marrë një vendim mbi ndarjen e 140 mandateve të reja për zgjedhjet e ardhshme të 23 qershorit 2013. Me rritjen në letra të popullsisë së Qarkut të Kukësit, solli një ndryshim të formulës së ndarjes së 140 mandateve, ku Qarkut të Beratit i hiqet një mandat. KQZ-ja duhet t’i kishte miratuar kohë më parë ndarjen e mandateve, këto vonesa kanë çuar shkeljen e afateve ligjore të parashikuara në Kodin Zgjedhor.
Top Channel