Një trup gjykues në Gjykatën Supreme të Kosovës, i kryesuar nga një gjyqtar i EULEX-it, ka hedhur poshtë kërkesën e avokatëve mbrojtës të të pandehurve të çështjes “Kleçka”, për lirimin e klientëve të tyre.
Trupi gjykues, i përbërë nga tre gjykatës ndërkombëtarë dhe dy vendas, i ka quajtur si të pabaza kërkesat e paraqitura në emër të Fatmir Limajt, Naser Shalës dhe Nexhmi e Naser Krasniqit.
Pala mbrojtëse kërkonte rrëzimin e vendimit të dhënë nga gjykata e shkallës së parë, që më 24 nëntor urdhëroi paraburgimin e katër të pandehurve për një muaj.
Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme të Kosovës është marrë më datë 12 dhjetor, por është bërë publik vetëm këtë të martë.
Rreth një javë më parë, e njëjta gjykatë miratoi kërkesën e EULEX-it për rigjykim të plotë të çështjes “Kleçka”, duke përfshirë përveç katërshes së sipërpërmendur edhe 6 ish-pjestarë të tjerë të UÇK-së.
Trupi gjykues riktheu në gjykim lëndën kundër 6 të pandehurve Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Refik Mazreku, Sabit Shala, Shaban Shala dhe Besim Shurdhaj, të cilët akuzohen për krime lufte kundër popullatës civile dhe të burgosurve të luftës.
Ndërkohë, Gjykata Supreme i konsideroi si të pranueshme deklaratat dhe ditarin e dëshmitarit kryesor të këtij rasti, Agim Zogaj, i njohur si “Dëshmitari X”, i cili u gjet i vdekur në shtator të vitit 2011 në Duisburg të Gjermanisë.
Top Channel