Irak, presidenti në gjendje kome

18/12/2012 15:15

Presidenti i Irakut, Jalal Talabani ndodhet në gjendje kome në një spital në Bagdad pasi pësoi një infarkt mëngjesin e së martës.

Në një komunikatë të publikuar në mediat vendase, mësohet se gjendja e presidentit është stabël, ndërsa kurimi për një arterie të bllokuar vazhdon.

Megjithatë, nuk ka garanci për rikuperimin e tij, ndërsa orët në vazhdim besohet se do të jenë vendimtare për jetën e 79-vjeçarit.

Një veteran i luftës guerrile të kurdëve dhe kundërshtar i ashpër i regjimit të Saddam Hussein, Talabani u shndërrua në presidentin e parë në historinë moderne të vendit që zgjidhet nga një prej grupeve të pakicave etnike që jetojnë në vend.

Problemet shëndetësore të Presidentit aktual të Irakut janë të njohura, pasi në vitin 2008 ai iu nënshtrua një operacioni në zemër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vetëm një vit pasi u trajtua për dehidratim në Jordani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA