Siberia përballet me temperatura tmerrësisht të ulta, edhe për vetë standardet e zonës.
Një i ftohtë i acartë ka goditur rajone të ndryshme të Rusisë, duke nisur prej Siberisë e deri në zonat qendrore të vendit.
Në Krasnojarsk, termometri shënoi të hënën minus 28 gradë celsius, ndërsa parashikimet janë që të shkojë deri në 32 gradë nën zero.
Ngrica të tilla janë të pazakonta edhe për vetë rajonin, ku temperaturat kanë zbritur në minus 44 gradë në Novosibirsk, minus 45 në Tomsk dhe parashikimet e ekspertëve nuk janë aspak optimiste: dimri siberian rrezikon t’i ulë ato akoma më shumë, duke prekur nivelin e -55 gradëve.
Moti i acartë, që pritet të vazhdojë deri në fund të javës, ka detyruar kompanitë e autobusëve të mbyllin disa linja qarkullimi, ndërsa këmbësorët përballen me një të ftohtë të tmerrshëm, gjatë rrugës për në punë apo në shkollë.
Nisur nga gjendja e krijuar, autoritetet lokale i këshilluan banorët të qëndrojnë në shtëpi, sa më shumë që të jetë e mundur, e po punojnë për forcimin e kontrollit mbi furnizuesit lokalë të energjisë dhe rrjetet e ngrohjes.
Në disa shkolla të Tiva-s, në jug të Siberisë, ku temperaturat mbërritën në minus 40 gradë, mësimi është pezulluar, ndërsa më shumë se 30 vetë, me probleme shëndetësore të lidhura me të ftohtin, janë shtruar në spital.
Top Channel