Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se do të ndërpresë bisedimet me homologun Thaçi të ndërmjetësuara nga BE nëse IBM-ja nuk zbatohet ashtu siç u ra dakord në Bruksel.

“Nuk do të zhvilloj më negociata nëse nuk respektohet marrëveshja që të mos paguhet doganë për mallin që mbetet në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Daçiç.

I cituar nga mediat serbe, kryeministri ka thënë se është tërësisht i pakënaqur me atë që po ndodh aktualisht në pikat kufitare ku ka nisur të zbatohet marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve.

Një ditë më parë, për të njëjtën arsye protestuan banorët serbë të veriut, të cilët bllokuan përkohësisht pikën kufitare të Jarinjës, duke penguar qarkullimin e automjeteve.

Ata kërkuan që të mos paguhet dogana për mallrat e dedikuara për veriun e Kosovës, pasi për këtë ata kanë marrë garanci nga qeveria e Serbisë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Doganës së Kosovës bënë të ditur se në këtë pikë kufitare është duke u zbatuar marrëveshja ngjashëm si në pikat e tjera.

Zëdhënësi Adriatik Stavileci tha për Top Channel nëpërmjet postës elektronike se importi i mallrave në pikën kufitare të Jarinjës ka qenë shumë i ulët që nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

“Mallrat e natyrës së konsumit në sasi të ulëta janë lejuar, kurse ato të natyrës komerciale janë dërguar për zhdoganim në terminalin doganor, në Mitrovicë. Ndërsa sa i përket mallrave me akcizë, siç janë nafta, gazi, pijet alkoolike, janë dërguar për zhdoganim në Merdarë”, saktësoi Stavileci.

Sipas zyrtarëve të Doganës së Kosovës, deri më tani nuk ka pasur probleme me zbatimin e marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Deri në përfundim të këtij viti parashihet që marrëveshja në fjalë të fillojë të zbatohet edhe në dy pikat tjera kufitare, në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë, si dhe në dy të tjera në një fazë të mëvonshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA