Kur duhen edhe 2 javë nga fillimi i merkatos, kanë nisur operacionet e para në shtëpinë e Milan, të cilat mund të bazohen te largimi i mundshëm i Pato.
Nga Brazili ka zëra për një interesim të Corinthians, i gatshëm të ofrojë 15 milionë euro për “Patokun”.
Pasi ka marrë “ok”-in e lojtarit, klubi ka vendosur t’i kërkojë Milan-it një pjesë të kartonit të brazilianit, pikërisht 50%. Për ta zëvendësuar është menduar menjëherë për Mario Balotelli-n.
Lajmi për “denoncimin” e klubit nga ana e sulmuesit italian, për gjobën e kripur të vendosur nga Manchester City, i ka dhënë më shumë shtysë zërave për një divorc gjithmonë e më të afërt.
Të paktën një pushim për të reflektuar, gjë që do të nënkuptonte një huazim për 6 muaj. Zgjidhja më e pranueshme për Milan, por edhe për “Citizens”. Rikthimi në Itali, mund t’i lejonte Balotelli-t të qëndronte më pranë vajzës së tij.
Veç Pato-s, i cili mund të sakrifikohet, është edhe Robinho, e ardhmja e të cilit është e paqartë. Berlusconi, Galliani dhe Allegri betohen se nuk do të lëvizë, por agjenti i tij, Mino Raiola, ka udhëtuar për në Brazil, për të folur me Santos, rreth shitjes së tij.
Ndërkohë, nëse largohet njëri mes Pato apo Robinho, ose të dy së bashku, zëvendësimi i denjë përbën një detyrë, jo vetëm një nevojshmëri.
Balotelli do të ishte emri më i vlerësuar, edhe pse nuk mund të harrohet “dashuria” e vjetër Kakà, edhe ky pranë largimit nga Real Madrid. Me siguri nuk do të rikthehet Seedorf, i cili ka hedhur poshtë zërat për rikthimin në Milano.
Top Channel