Carlos Bianchi ka pranuar të rikthehet në postin e trajnerit të Boca Juniors. Lajmin e dha ditën e martë presidenti i klubit argjentinas, Daniel Angelici, në Twitter.
“Ortakë dhe tifozë të Boca Juniors, Carlos Bianchi pranoi ofertën për tu rikthyer si trajner i ekipit”, shkroi presidenti, i cili saktësoi se prezantimi zyrtar do të bëhet ditën e mërkurë.
“Është një gëzim i madh që trajneri më fitues në historinë tonë do të na drejtojë sërish. I uroj sa më shumë suksese dhe e siguroj që do të ketë mbështetjen e drejtuesve të klubit, ortakëve dhe tifozëve”, shtoi Angelici.
Carlos Bianchi ka qenë trajner i Boca Juniors fillimisht në vitin 1998 duke fituar 3 kampionate në Argjentinë, 2 Kupa Libertadores dhe një Kupë Interkontinentale ndaj Real Madrid.
Në vitin 2001 u largua, për tu rikthyer dy vite më pas për të fituar 1 kampionat, 1 Kupë Libertadores dhe 1 Kupë Interkontinentale.
Top Channel