Bashkëpartiakët e ish-kryetarit të Kaçanikut Xhabir Zharku, i cili e ka shmangur vuajtjen e dënimit me burg, e cilësojnë thjesht si vendim personal të Zharkut me të cilin Partia Demokratike por edhe  Kuvendi i Kosovës nuk ka pse të merret.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti tha se kjo nuk është punë e Kuvendit e as e partisë. I nxitur edhe nga pyetjet e gazetarëve, Haliti shtoi se gjithçka rreth Zharkut është punë që i takon Ministrisë së Brendshme.

“Ai është një problem personal i tij. Unë nuk jam polic, për më shumë drejtojuni Ministrisë së Brendshme, e cila e ka për detyrë që të merret me këtë çështje. Këto janë çështje që nuk kanë të bëjnë as me partinë e as me Kuvendin e Kosovës”, deklaroi Haliti.

Nga ana tjetër, deputetë nga radhët e opozitës vlerësuan se rasti i ish-kryetarit të Kaçanikut po vendos një standart të keq në Kosovë. Një standard ky, që sipas LDK-së e AAK-së, dëmton proçeset europiane të Kosovës.

“Kjo që po ndodh tregon se në çfarë gjendjeje është katandisur Kosova dhe se si funksionojnë institucionet tona. Korrupsioni, mungesa e sundimit të ligjit dhe integrimi evropian së bashku nuk shkojnë”, deklaroi Ismet Beqiri nga LDK.

“Ky rast po vendos një standart që nuk ka qenë më parë në Kosovë. Ne kemi pasur edhe raste të tjera kur drejtësia ka kërkuar dhe njerëzit janë paraqitur në mënyrë të vullnetshme. Kjo, normalisht që ndikon në të gjitha proçeset”, tha nga ana tjetër Burim Ramadani, nga AAK.

Ndërsa autoritetet policore nuk dinë ende asgjë për fatin e Zharkut, ai vetë është bërë i gjallë nëpërmjet një letre dërguar mediave dhe autoriteteve.

Në këtë letër Zharku nuk tregon vendndodhjen, por përkundrazi paralajmëron se nuk do të dorëzohet sepse sipas tij, vendimi i gjykatës ka qenë i motivuar politikisht dhe i porositur.

Nga arratia, Xhabir Zharku kërkon një proçes rigjykimi për rastin e tij, në të kundërtën ai kërcënon EULEX-in me publikimin e disa fakteve, të cilat, siç thuhet, implikojnë edhe vetë pjesëtarët e misionit evropian.

Xhabir Zharku ka qeverisur komunën e Kaçanikut nga viti 2007 deri në maj të vitit 2012. Ai është dënuar me tre vjet burg për shantazh dhe posedim të paligjshëm armësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA