Dhimbja për fëmijët e vrarë në shkollën Sendi Huk, në Konektikat të Shteteve të Bashkuara ka mbërritur edhe në Tiranë.
Qindra qytetarë të Tiranës ndezën qirinj para portreteve të fëmijëve të vrarë në këtë sulm të egër që u mori jetën 26 personave, nga të cilët 20 fëmijë.
Duket se kjo ka bërë që mes atyre që u bashkuan me dhimbjen e familjeve amerikane, duke ndezur një qiri, më të shumtët ishin fëmijë.
Një homazh për fëmijët e vrarë në Shtetet e Bashkuara, por edhe një apel për policinë dhe organet e shtetit shqiptar për të forcuar masat e sugurisë në shkollat tona ishte mesazhi i lëvizjes Alternativa Civile në organizimin e këtij homazhi.
“Ky është një homazh njerëzor për jetën e atyre fëmijëve që u shuan në mënyrë të pafajshme. Edhe pse një popull tjetër dhe mijëra kilometra larg, ne bashkohemi me dhimbjen e familjave të tyre. Por kur kemi parë ato imazhe të asaj ngjarjeje të rëndë kemi pyetur veten: Po sikur e njëjta gjë të ndodhë në shkollat e fëmijëve tanë? Për këtë arsye i bëjmë apel policisë që të marrë masa, si dhe prindërve që të edukojnë fëmijët e tyre dhe t’i largojnë nga ambjentet e dhunshme”, deklaroi Mentor Kikia.
Për mëse dy orë, qindra qytetarë të Tiranës ndaluan para portreteve të fëmijëve të vrarë në Konektikat, duke ndezur qirinj si shenjë e dhimbjes njerëzore, e cila përçohet edhe mijëra kilometra larg, duke sjellë edhe paralajmërimin se krimi mund të godasë edhe në shkollat tona.
Nëse krimi ndodh, tha drejtuesi i Alternativës Civile, atëherë lutjet, mallkimet dhe akuzat do të jenë të kota. “Ne duhet ta ngremë zërin tani për të parandaluar të tilla krime, ndaj të cilave asnjë shoqëri nuk është e imunizuar”, deklaroi ai.
Top Channel