Zëvendëspresidenti i Sirisë, Farouq al-Sharaa, deklaroi se asnjë prej palëve ndërluftuese nuk është në gjendje që të realizojë një mësymje që do t’i jepte fund konfliktit 21-mujor.
Duke kundërshtuar vlerësimin e NATO-s mbi kryengritësit që po fitojnë terren dhe regjimin pranë shembjes, al-Sharaa theksoi se forcat janë të barazpeshuara dhe se zgjidhja nuk mund të arrihet nëpërmjet armëve.
Në një intervistë për të përditshmen “al-Akhbar”, për herë të parë, një zyrtar i lartë i qeverisë foli për nevojën e bisedimeve dypalëshe, në mënyrë që të arrihet një “marrëveshje historike”.
Sharaa, një musliman sunit, është parë rrallë në publik që prej fillimit të kryengritjes në mars 2011.
Ai nuk besohet se është pjesë e rrethit të ngushtë të presidentit Bashar al-Assad, i përbërë nga anëtarë të familjes dhe të afërm të sektit alauit.
Megjithatë, 74-vjeçari shndërrohet në zyrtarin më të lartë që pranon se lufta nuk mund të fitohet prej forcave qeveritare.
Që prej fillimit të konfliktit sirian, të paktën 40 mijë persona kanë humbur jetën, 500 mijë janë zhvendosur në kampe refugjatësh në vendet fqinje dhe mbi dy milionë janë shndërruar në refugjatë brenda vetë Sirisë, duke u zhvendosur në zona më të sigurta larg luftimeve.
Top Channel