Presidenti i Realit të Madridit, Florentino Perez, kundërshtoi deklaratat e trajnerit Mourinho, i cili pas barazimit në shtëpi me Espanyolin, deklaroi se tashmë lufta për titull praktikisht ka përfunduar.
Pas 16 javësh kampionat, Reali pozicionohet në vendin e tretë, 13 pikë pas Barcelonës dhe pas rivalëve të të njëjtit qytet, Atletikos.
“Një person nuk duhet të dorëzohet kurrë, as në jetë, as në sport dhe as në situatat personale”, deklaroi Florentino, në një referencë të qartë ndaj deklaratës së portugezit.
Mourinho dorëzohet: Kampionati ka përfunduar
Jose Mourinho, kësaj radhe nuk ka pasur ankesa për lojtarë të caktuar pas barazimit 2-2 të Real Madrid me Espanyol. Skuadra fali shumë para portës, ishte teoria e trajnerit portugez. Ndërsa përfundimi ishte: “Kampionati është i pamundur të fitohet tashmë.”
“Lojtarët e luajtën ndeshjen mirë, por na mungoi qetësia dhe fati. Meritonim fitoren për përpjekjet që bënë futbollistët e mi, por humbëm raste të pastra për shënim. Nuk kam kritika ndaj futbollistëve”, theksoi trajneri i madrilenëve.
Më tej, ai sqaroi pse skuadra ka 13 pikë diferencë me Barcelonën e vendit të parë: “Nuk jemi mirë si më parë. Nuk ka gëzim pa rezultate. Me rastet që kishim sot, vitet e kaluara do të bënim 3, 4 apo 5 gola.”
Në lidhje me situatën në renditjen e kampionatit, Mourinho u shpreh qartë: “Titulli kampion është praktikisht i pamundur. Janë shumë pikë për tu rekuperuar (13). Vitin e kaluar ne kishim 10 pikë diferencë në mars dhe e ruajtëm distancën. Tashmë përmirësimi në kampionat do të na shërbejë për Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve.”
Top Channel