Pas deklaratës së kryeministrit Berisha në konferencën për shtyp me gazetarët, reagoi Partia Socialiste, e cila i cilësoi si përçartje të shefit të qeverisë. “Kjo është një tjetër provë, pse duhet me patjetër rotacioni”, tha zonja Harito nga selia rozë.
“Keqardhje për përçartjet e sapopërfunduara të kryeministrit. Një tjetër provë, përse duhet rotacioni politik në Shqipëri.
Një tjetër shembull i degradimit të qeverisë në një klub thashethemesh dhe banalitetesh pa vizion, pa projekt, pa arritje. Kjo qeveri po e lë Shqipërinë, më keq se sa e gjeti.
Sot, Partia Socialiste përsërit: Po, ne do ta heqim taksën e biznesit të vogël, madje në 100 ditët e para të qeverisjes. Ne do ta ndryshojmë sistemin e taksimit, jo më taksë të sheshtë, por taksim të ndershëm. Kush fiton më pak, do të paguajë më pak, ndërsa kush fiton më shumë, do të paguajë më shumë.
Po, zgjedhjet janë kusht për statusin kandidat dhe çuarjen përpara të proçesit të integrimit. Ne do ta çojmë përpara idenë e bashkimit kombëtar, por jo me rrugët e vjetra të nacionalizmit folklorik, sepse ka një dallim të madh midis nesh dhe atyre që sot na keqqeverisin.
Ne jetojmë në të sotmen për të ardhmen, ata jetojnë në të shkuarën dhe për të shkuarën”.
Top Channel