Presidenti serb, Tomisllav Nikoliç gjatë kësaj jave do të njoftojë krerët e grupeve parlamentare të opozitës lidhur me politikat e Beogradit ndaj Kosovës.
Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri serb Ivica Daçiç, një ditë pasi kreu i shtetit dhe bashkëpunëtorët e tij diskutuan mbi platformën për Kosovën.
Lidhur me këtë takim Daçiç ka thënë se në të është analizuar situata në pikat kufitare me Kosovën, ku ka nisur të zbatohet marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të Kufijve.
Ai ka thënë se aktualisht në Bruksel, grupet e punës po diskutojnë mbi detajet e kësaj marrëveshjeje, që nisi nga zbatimi rreth 1 javë më parë.
Kreu i qeverisë serbe ka nënvizuar se së shpejti do të zgjidhen edhe problemet që lidhen me mbledhjen e tarifave doganore.
Takimi i zhvilluar ditën e diel mbi platformën për Kosovën përfundoi në orët e vona të mbrëmjes dhe asnjë nga pjesëmarrësit nuk bëri deklarata për mediat.
Mes pjesëmarrësve, përveç Nikoliç dhe Daçiç, një tjetër figurë e rëndësishme ishte ajo e Nebojsha Stefanoviç, kryetar i Kuvendit të Serbisë.
Top Channel