
Prokurori i ri i Përgjithshëm i Shqipërisë, Adriatik Llalla ka deklaruar se ka marrë përsipër të reformojë dhe të modernizojë punën hetimore të institucionit të drejtuar prej tij në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Unë do ta filloj punën time me reformimin e institucionit të prokurorisë. Në institucionin tonë ka mjaft prokurorë që nuk e meritojnë që të jenë prokurorë, që nuk duhet të gëzojnë statusin e prokurorit sepse janë vetë shkelës të ligjit. Unë do të punoj për evidentimin e tyre dhe largimin nga rradhët e institucionit të këtyre prokurorëve, për arsye se kjo pakicë prokurorësh njollosin emrin e institucionit, si dhe pengojnë pjesën më të madhe të prokurorëve të cilët janë të përkushtuar ndaj punës, pra punojnë në mënyrën e duhur”, ka deklaruar Llalla.
Në një intervistë për VOA, numri 1 i institucionit qëndror të akuzës ka nënvizuar se goditja e korrupsionit do të jetë detyra kryesore e punës së tij.
“Korrupsioni është një problem shqetësues për shoqërinë shqiptare. Kjo u evidentua edhe nga të dhënat e fundit të publikuara nga Transparency International, ku Shqipëria renditej disa vende më poshtë. Nuk e themi vetëm ne këtë fakt. Gjatë drejtimit tim të këtij institucioni do të punoj me përparësi, që rastet e korrupsionit të hetohen në mënyrë të plotë e të gjithanshme dhe fajtorët do të ndëshkohen me forcën e ligjit në çdo rast”, ka thënë Llalla.
Zoti Llalla ka theksuar gjithashtu se nuk ka patur asnjëherë presione politike dhe se çdo politikan apo zyrtar i lartë do të detyrohet që sipas ligjit të paraqitet para hetuesve, nëse hetohet për krime të dyshuara.
“Ligji ka të përcaktuar saktë detyrimin që ka çdo shtetas, çdo zyrtar, përfshi edhe më të lartin, për t’u paraqitur në zyrën e prokurorit për të dhënë shpjegime, ose sa herë që thirret prej tij. Askush nuk guxon t’i shmanget kësaj përgjegjësie, sepse ligji parashikon masa nga më të ndryshmet për ata që refuzojnë. Prokuroria ka të gjithë kompetencat që të thërassë, të kryejë hetime lidhur me çdo zyrtar pa përpjashtim, duke përfshirë qysh nga Presidenti i Republikës dhe deri tek qytetari më i thjeshtë. Gjatë kohës që unë e drejtoj këtë institucion askush nuk do të guxojë nga zyrtarët që t’i shmanget ligjit, duke mos ardhur për të dhënë shpjegime këtu”, ka nënvizuar Llalla.
Ai ka thënë më tej se gjatë detyrës së tij do të maksimalizojë dënimet e kriminelëve, duke mbledhur me kujdes provat e krimit, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e tjera.
“Do të vendos marrëdhëniet e parashikuara në ligj, marrëdhënie të mira bashkëpunuese me të gjithë institucionet përgjegjëse të luftës kundër krimit dhe korrupsionit në Shqipëri. Duke filluar nga policia e shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ILDKP, doganat, tatimet, dhe gjithë institucionet e tjera përgjegjëse në këtë fushë. Më pas edhe me zyrat e shteteve homologe si Italia, Greqia, Anglia etj, pra, me vendet me të cilat kemi më shumë punë, sepse krimi i shtetasve shqiptarë është më i përhapur se sa në vendet e tjera. Është shumë i rëndësishëm edhe trajnimi i stafeve të prokurorëve. Një pjesë e madhe e trupës së prokurorëve vijnë nga shkolla e magjstraturës dhe nga shkolla të perëndimit, duke sjellë risi në punën e institucionit tonë. Unë mbështes këtë pjesë të prokurorëve”, ka pohuar Llalla.
Më tej ai u ka dhënë përgjigje edhe pyetjeve të lidhura me dy prej çështjeve gjyqësore më të njohura në vend, Gërdecin dhe 21 janarin.
Gërdeci – “Unë jam në ditët e para të marrjes së detyrës. Jam duke grumbulluar informacionin në lidhje me këto çështje të rëndësishme dhe të ndjeshme për opinionin publik. Do të mbështes punën e prokurorëve të bërë deri tani lidhur me hetimin dhe gjykimin e këtyre rasteve, dhe po ndjek me përparësi ato. Po kështu, lidhur me hetimet që kanë mbetur pezull lidhur me dy, me një pjesë të aktorëve të ngjarjes së Gërdecit, po ashtu edhe të 21 janarit”.
21 janari – “Hetime të tilla janë të rëndësishme të kryhen si duhet qysh në çastet e para. Ne do të veprojmë me përparësi në ngjarje të tilla dhe unë synoj që të gjithë përgjegjësit e këtyre ngjarjeve do të hetohen dhe ju siguroj se do të ndëshkohen sipas ligjit”.
Top Channel