Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi u ka nisur nga një letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku iu kërkon që të votojnë rezolutën çame. Ai kërkon që deputetët të votojnë si individë të lirë dhe jo si anëtarë të njërit krah apo tjetrit.
“Teksti që po ju paraqes për të marrë mbështetjen tuaj nuk është një dokument i thjeshtë. Ai nuk është vetëm produkt i një frymëzimi personal, si anëtar i komunitetit çam, një komunitet martir, që ka amanetin e vet, ka testamentin e vet kolektiv. Ai është bashkimi i amaneteve të thëna, qoftë edhe nga paraardhësit tanë që janë ndarë nga jeta, qoftë edhe prej atyre që janë në prag të kësaj ndarjeje. Thënë kështu, unë dua ta ndaj atë me ju”, shkruan Idrizi.
Kreu i PDIU-së shprehet se, që nga koha e rënies së regjimit komunist Shqipëria është sot një vend anëtar i NATO-s dhe qytetarët e saj lëvizin të lirë në Evropë falë marrëveshjes së liberalizimit të vizave.
“Ne kemi marrë përsipër plotësimin e reformave, si aspirantë në Bashkimin Evropian dhe jemi në prag të statusit të vendit kandidat. Gjithashtu, Kosova është e pavarur. Ndaj sot është koha të mos heshtim!”, shkruan Idrizi.
Ai thotë se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame kërkon vetëm të drejtat legjitime, universale, që janë mishëruar në traktatet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare dhe janë pjesë thelbësore e Bashkimit Evropian, ku vendi ynë aspiron të anëtarësohet.
“Le të bëjmë së bashku një vepër të madhe njerëzore. Të ndihemi njëlloj për një çast të vetëm para votës sonë, duke votuar rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame!”, shkruan Idrizi në letrën drejtuar deputetëve për të votuar rezolutën çame me 13 pika.
Një ditë më parë shoqata “Çamëria” zgjodhi ish-presidentin Alfred Moisiu për të kryesuar listën e atyre shqiptarëve që do të firmosin peticionin, i cili i kërkon Kuvendit të Shqipërisë të miratojë sa më shpejt projekt-rezolutën e dorëzuar në Parlament nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri.
Top Channel